Ligji për kompetencat e presidentit është gati! Mazhoranca ka mbyllur punën e saj disa javore dhe ka hartuar një draft të përbërë nga 45 nene, ku sipas deputetit Adnor Shameti zgjidh ngërçet artificiale siç ai i quan, që kanë ndodhur deri më tani.
Në këtë ligj, Shameti theksoi se nuk i hiqen kompetencat që aktualisht ka presidenti, por janë të përcaktuara shumë qartë të gjitha detyrat që ka kreu i shtetit. Nevojë e domosdoshme, e quajti Shameti, për shkak të përplasjeve që ka pasur institucioni i presidencës dhe kuvendit sa i përket betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, refuzimi i dekretimin të ministrave, rasti i ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Në lidhje me hartimin e ligjit për presidentit, i dhamë dorën e fundit dhe disa detajeve, dua të sqaroj që hartimi i një ligji për organizimin ne presidenti ka qenë një domosdoshmëri dhe detyrim kushtetues. Është një ligj organik, ky ligj ka analizuar dhe përfunduar në detaje të gjithë procedurën që presidenca duhet të ndjekë në ushtrimin e kompetencave të veta, marrin fund të gjitha ngërçet artificiale të lindura në vite duke pasur parasysh kushtetutën. Nuk bëhet fjalë për kufizime të kompetencave është elaburimi i të gjitha të drejtave të presidentit. Grupi i punës ka përfunduar draftin dhe ky draft do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare ku do të depozitohet në Kuvend dhe pastaj do të vijojë puna normale që do jetë gjithëpërfshirës dhe do diskutohet dhe në Komisionin e Ligjeve. Është një ligj i kompletuar nuk është për privilegjet e presidentit, por i jep fund ngërçeve artificiale, ka 45 nene në tërësinë e tij dhe të gjitha problematikat që ju i ngrini gjejnë zgjidhje”, tha Shameti.
Ligji për kompetencat e presidentit duhet të ishte gati në datën 15 tetor, por hartimi i saj ka marrë më shumë kohë dhe prezantimi është bërë vetëm sot (6 nëntor). Grupi i punës ishte i përbërë nga tre deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli.


