Detaje të tjera janë zbardhur nga dosja hetimore e grupit shqiptar që falsifikonte viza amerikane dhe kanadeze. Bëhet fjalë për grupin prej 17 anëtarësh që trafikonin emigrantë drejt SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, duke përdorur viza të falsifikuara.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka pasur në përgjim anëtarët e grupit që nga viti 2016. Komunikimet mes tyre bëheshin kryesisht përmes aplikacioneve “Whatsapp” dhe “Viber”, por nuk mungojnë edhe telefonatat. Burimet thonë se grupi merrte 20 mijë euro për çdo emigrant që dërgonte drejt Kanadasë dhe SHBA-ve.
Grupi, pasi gjente porositë, sigurohej që t’i pajiste emigrantët me dokumente të falsifikuara, që nga lejet e qëndrimit italiane e deri te vizat amerikane dhe më gjerë. Nga bisedat e përgjuara, del se moshat e emigrantëve etiketoheshin përmes komunikimeve si numra këpucësh, në mënyrë që të mos binin në sy.
Për transport përdoreshin kryesisht autobusë ndërkombëtarë, në mënyrë që të mos ngjallnin dyshime për emigrantët që trafikoheshin. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bien në sy biseda konkrete për falsifikimin e dokumenteve, siç është ajo mes dy ndërmjetësve Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj për falsifikimin e lejeve të qëndrimit për në shtetin italian. Emigrantët shqiptarë pajiseshin me dokumente, sikur të ishin shtetas italianë dhe duke qenë qytetarë të BE-së kalonin lehtësisht në vende të Perëndimit si SHBA-të dhe Kanadaja.
Gjithashtu, sipas përgjimeve, grupi del se kishte lidhje të forta me bashkëpunëtorë grekë në shtetin helen, ku ndodheshin edhe disa prej laboratorëve që kryenin falsifikime.
“Panorama” zbardh disa prej përgjimeve në dosjen voluminoze të prokurorit Vladimir Mara.
PËRGJIMET
Nga përgjimi telefonik kanë rezultuar biseda të shtetasit Alfred Myrtaj nëpërmjet tre numrave që ai ka përdorur, ku kryen biseda në lidhje me falsifikimet që bën së bashku me persona të tjerë, si Ilir Myrtaj, që është vëllai i tij, dhe Marjo Myrtaj, djali i tij. Për të shpërndarë dokumentet e falsifikuara dhe si ndërmjetës, ai ka mikun e tij, Albert Chelilin, të cilit i thërret me emrin Berti. Dhe ky bashkëpunon me shumë persona, me të cilët bisedojnë për cilësinë e letrës që do blinin në Greqi, që do të përdorej për të prodhuar dokumente të falsifikuara. Nga bisedat telefonike të bëra më datë 09.12.2016, shtetasi Alfred Myrtaj komunikon me një shtetas shqiptar që ka në përdorim një numër grek dhe flasin për aktivitetin kriminal, në mënyrë të koduar si më poshtë:






