Deputetja socialiste, Elisa Spiropali e ftuar në emisionin “Open” në Top Channel ka treguar se çfarë është diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste.
“Ishte një reflektim në fundvit. Raport i punëve që janë bërë. Synimet që kemi, premtimet që duhen bërë. Synimet që duhen mbajtur dhe ato që nuk janë bërë dhe një reflektim për atë që duam të bëjmë, për të bërë programe dhe poltika të mira për të marrë përgjegjësitë tona. Ne kemi qenë në një proces të gjatë llogaridhënie. Kemi bërë dhe mbledhje asambleje. Ne merremi me vizione dhe ide.”, u shpreh Spiropali.
Ndërsa tek u pyet nga gazetarja Eni Vasili se a u diskutua për lëvizje të ministrave u shpreh se kjo nuk i takon anëtarëve të Kryesisë.
“Nuk i takon anëtarëve të Kryesisë për të diskutuar emra. Ne bisedojmë për politika. U bënë analiza dhe reflektim mbi organizimin partiak.”, tha deputetja e PS-së.
Eni Vasili: A duhet të ketë ndryshime në kabinet?
Spiropali: Nuk më interesojnë emrat, por çfarë politikash bëjnë dhe ka sektorë që duhet të reflektojmë të jemi më majtas, drejt qëndrës apo më djathtas. Nuk anatemojmë, nuk nxijmë, nuk justifikohemi. Ne merremi me atë që mund të bëjmë. Protesta ishte një moment reflektimi. Jo vetëm për studentët, por edhe familjet e tyre sepse kjo shpreh revoltë jo vetëm studentore.