Lëvizja e lirë e njerëzve pritet të jetë një nga përfitimet më të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor falë marrëveshjes në Samitin e Ohrit për një plan veprimi të bashkëpunimit rajonal, të cilësuar si “Shengeni i Ballkanit Perëndimor”.
Për qytetarët e Shqipërisë, Serbisë e të Maqedonisë së Veriut kjo do të thotë lehtësim i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet e bashkëjetesës brenda rajonit, por edhe për zhvillimin e përbashkët të potencialeve njerëzore në tregun e punës.
Kjo sepse falë marrëveshjes mundësohet udhëtimi i qytetarëve nga njëri vend në tjetrin vetëm me kartë identiteti si dhe leje punësimi të përbashkëta, që lejojnë njerëzit të punojnë në të gjitha kompanitë, pa u detyruar të marrin pjesë në proçedura shtesë.
Rrjedhimisht kjo masë do të rrisë drejtpërdrejtë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendeve tona, në një treg që sa vjen e bëhet më dinamik.
Bazuar në marrëveshje, njohja reciproke e kualifikimieve profesionale (diplomave) në vendet anëtare të nismës do të rrisë aksesin e punëkërkuesve të diplomuar në tregjet e vendeve fqinje, e përkthyer kjo në më shumë hapësira te përbashkëta pune për aplikimin profesional të dijeve që përfitojnë të rinjtë tanë.
Marrë së bashku të gjitha këto, perveçse sjellin një rritje të cilësisë së jetesës së qytetarëve tanë, mund të konsiderohen edhe si një paketë masash të efektshme për rritjen e konkurrueshmërisë së rajonit ne aspektin ekonomik.
Kjo sepse rritja e shanseve për qarkullimin e lirë të potencialit human është faktori nxitës më efektiv për kthimin e rajonit në pikë tërheqëse të investitorëve të huaj.


