Gjykata e Lartë ka rikthyer për rigjykim në Gjykatën e Posaçme 5 të pandehurit e akuzuar si pjesë e grupit të zjarrit ne Lazarat, të cilët kundërshtuan me armë punonjësit e policisë në operacionin e parë në vitin 2014.
Arbjon Aliko, Gurgaz Skënderi, Alfred Proko, Enrik Skënderin dhe Beqo Brahimajn u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 52 vite burg nga 57 që kërkoi Prokuroria vendim që u la në fuqi edhe nga gjykata e Apelit.
Rekursi në Gjykatën e Lartë u bë nga avokatët mbrojtës dhe, pasi kërkesa u mor në shqyrtim, Gjykata e Lartë ka vendosur ta rikthejë për rigjykim, po këtë herë në Gjykatën e Posaçme. Gjykata e Krimeve të Rënda dha këto dënime për të akuzuarit
Arbjon Aliko 13 vite burg
Gurgaz Skënderi 11 vite burg
Enrik Skënderi 10 vite burg
Alfred Proko 10 vite burg
Beqo Brahimi 8 vite burg
Ndërhyrja në Lazarat në 2014
Në qershor të vitit 2014, 1 vit pasi kishte ardhur në pushtet, qeveria “Rama” vendosi të ndërhyjë në Lazarat, fshatin që ishte simboli i kultivimit të drogës në gjithë vendin. Aksioni përfshiu rreth 1 mijë forca policore dhe drejtohej nga Artan Didi, asokohe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe tanimë një ikonë e uniformave blu. Për më shumë se një javë, forcat e policisë kryen kontrolle në gjithë shtëpitë e fshatit duke realizuar kapjen e një sasie rekord droge. Aksioni në Lazarat në vitin 2014 u cilësua si një nga më të suksesshmit, duke i dhënë fund paligjshmërisë që vijonte që prej 20 vitesh në këtë zonë.


