Në kishën Uestminister të Londrës është mbajtur ceremonia fillestare e varrimit të Mbretëreshës britanike, Elizabeta II.
Në kishën Uestminister të Londrës u mbajt dje ceremonia fillestare e varrimit të Mbretëreshës britanike, Elizabeta II. Në këtë kishë, në të kaluarën, ajo është martuar dhe është shpallur mbretëreshë. Në mesin e 2.000 të ftuarve kanë qenë liderë botërorë, përfshirë Presidentin amerikan, Joe Biden, dhe qindra udhëheqës tjerë shtetesh. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe Presidenti shqiptar Bajram Begaj dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Dashuria, përkushtimi dhe bujaria, janë virtytet për të cilat do të kujtohet përherë! Pusho në paqe Mbretëreshë!”, ka thënë Osmani përmes një postimi në “Facebook”. Udhëheqësi i ceremonisë, David Hoyle, ka vlerësuar shërbimin e kryer nga Mbretëresha gjithë jetën e saj. Plot 5.1 miliardë njerëz kanë ndjekur drejtpërdrejtë funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II. BBC-ja ka raportuar të hënën se funerali i saj është parë nga afërsisht 63.2 për qind e popullsisë së botës. Sipas raportimit, kjo është ngjarja e vetme e një rëndësie të tillë që është transmetuar drejtpërdrejtë. Mbreti Charles III ka qëndruar mbrapa arkivolit të mbretëreshës së ndjerë. Ceremonia është përcjellë me muzikë kishtare dhe lexim të Biblës. Kryepeshkopi i Kantburit, Justin Ëelby, e ka përfshirë në predikimin e tij shprehjen e përdorur nga Mbretëresha, “ne do të takohemi sërish”. Ajo e pati përdorur këtë shprehje në një adresim të rrallë para kombit, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. “Dhimbja e kësaj dite, e ndjerë jo vetëm nga familja e Mbretëreshës, por edhe nga i gjithë kombi dhe vendet tjera në botë, lind nga jeta dhe shërbimi i saj i bollshëm”. Ceremonia në këtë kishë ka përfunduar me dy minuta heshtje. Arkivoli i Mbretëreshës kreu më pas një shëtitje të fundit në rrugët kryesore të Londrës, dhe pastaj u dërgua në kështjellën Uindsor, ku është mbajtur një shërbim me 800 persona. Në fund, Mbretëresha Elizabeta II është varrosur në një ceremoni private në faltoren e Shën Xhorxhit, pranë bashkëshortit të saj të ndjerë, Princit Philip. Dita e varrimit ishte emocionale për shumë britanikë. Britania nuk ka organizuar ceremoni të tilla varrimi që 60 vjet, përkatësisht që nga varrimi i ish-Kryeministrit, Winston Churchill.
KUSH NUK ISHTE FTUAR?
Për shkak të raporteve të tensionuara, Mbretëria e Bashkuar kishte ftuar ambasadorët – jo krerët e shtetit – të disa shteteve, sikurse Iranit, Nikaraguas dhe Koresë së Veriut. Rusia dhe Bjellorusia ishin në mesin e një grupi të vogël që nuk ishin ftuar fare në varrim për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin – ndaj të cilit Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione për udhëtim – veçse ka thënë se nuk do të mund të marrë pjesë në varrim. Në këtë ceremoni nuk ishin ftuar as liderët talibanë afganë dhe as ata të Mianmarit, Sirisë dhe Venezuelës.
“E MBAJ MEND PËRGJATË GJITHË JETËS SIME”
Qindra mijëra persona kishin dalë nëpër rrugët e Londrës, nëpër të cilat kalojë arkivoli i Mbretëreshës. Miliona të tjerë e përcollën ceremoninë mortore përmes transmetimeve të drejtpërdrejta. Agjencia e lajmeve “Reuters” bisedoi me dhjetëra persona që kishin udhëtuar nga rajone të ndryshme të Britanisë për të nderuar Mbretëreshën e ndjerë. “Ajo ka qenë e pranishme te ne për kohë të gjatë, prandaj të gjithë e kemi marrë për të sigurt atë fakt. Jam këtu, sepse ajo është pjesë e historisë”, tha Alexandra Stevenson, infermiere 35-vjeçare nga Londra. “Atë e mbaj mend përgjatë gjithë jetës sime. Nuk jam shumë e dhënë pas familjes mbretërore, mirëpo më ka pëlqyer mbretëresha”, ka thënë Vicky Mçonkey, 70-vjeçare nga Londra. “Atë e kemi quajtur shefe. Kam ardhur për ta respektuar. Jam veshur, i kam shkëlqyer këpucët, gjithçka”, tha Mario Reid, veteran që ka shërbyer 22 vjet me inxhinierët në familjen mbretërore. “Jam nga komuniteti i Karaibeve dhe ne e festojmë jetën në vend që të vajtojmë, mirëpo e bëjmë këtë gjë me respekt”, u shpreh Craig Chambers, 32-vjeçar, punëtor në hekurudha. Mbretëresha Elizabeta II ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare në kështjellën Balmoral të Skocisë. Ajo ka qenë në fron për 70 vjet, më shumë se çdo monark tjetër i Mbretërisë së Bashkuar. Fronin e ka trashëguar djali i saj i madh, Charles, i cili tani njihet me emrin Mbreti Charles III. Pallati Bakingam ka thënë se vetë Mbretëresha Elizabeta II, sa ka qenë gjallë, ka shtuar detaje personale në planin për ceremoninë e varrimit të saj. Kisha e Uestministerit, ku u mbajt shërbesa fetare, është vendi ku janë kurorëzuar mbretërit e mbretëreshat e Britanisë, përfshirë edhe Elizabeta II më 1953. Në këtë kishë ajo është martuar me Princin Philip më 1947. Në Uestminister nuk është mbajtur asnjë ceremoni mortore e monarkëve që nga shekulli i 18-të, edhe pse më 2002, aty është organizuar ceremonia e varrimit të Nënës Mbretëreshë, nënës së Elizabeta II.







