Kjo e hënë 19 shtator shënon dhe ditën e lamtumirës së Mbretëreshës Elisabeth e cila do të përcillet me një ceremoni solemne për në banesën e fundit
Funerali i Mbretëreshës do të nisë në orën 11:00 në kishën e Westminster Abbey, aty ku Mbretëresha Elisabeth II u kurorëzua në fron në vitin 1953.
Edhe pse ceremonia e varrimit do të zgjasë gjatë ditës, për meshën e përshpirtjes është planifikuar vetëm 1 orë. (09:00). John Sentamu, ish-kryeipeshkvi i Yorkut, që ka marrë pjesë prej vitesh në përgatitjet për varrimet shtetërore në Britaninë e Madhe, është shprehur për BBC, se “Mbretëresha nuk i ka dashur meshat shumë gjata e të mërzitshme.”
Ceremonia e varrimit pritet të jetë një nga evenimentet më të mëdha televizive. Sipas llogaritjeve në të gjithë botën rreth 4 miliardë vetë e ndjekin ceremoninë e varrimit.
CEREMONIA
Dy minuta heshtje do të mbahen sot në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në fund të funeralit shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II në Westminster Abbey, duke i dhënë publikut britanik në mbarë vendin një shans për t’i bërë nderimet e tyre monarkes së ndjerë. Buckingham Palace ka publikuar shumë detaje në lidhje me funeralin shtetëror të Mbretëreshës që vdiq më 8 shtator në moshën 96-vjeçare si dhe varrimin e saj privat sot. Vdekja e saj në kështjellën Balmoral në Skoci i dha fund mbretërimit 70-vjeçar të monarkes. Edëard Ëilliam Fitzalan-Hoëard, zyrtari përgjegjës për organizimet, tha se funerali dhe ngjarjet gjatë ditëve në vijim kanë për qëllim “të bashkojnë njerëzit anembanë globit dhe të rezonojnë me njerëzit e të gjitha besimeve, Mbretëresha mbajti një pozicion unik dhe të përjetshëm në të gjithë jetën tonë. Kjo është ndjerë më fort gjatë ditëve të fundit, ndërsa bota po vajton vdekjen e saj”. Pas funeralit shtetëror ku morën pjesë mijera të ftuar, duke përfshirë Presidentin amerikan, Joe Biden, dhe krerë të tjerë të shteteve të ndryshme, arkivoli i Elizabeth do të bartet nëpër zemrën historike të Londrës, nga Westminster Abbey në Wellington Arch pranë Pallatit Buckingham me një karrocë të tërhequr nga kuajt si dhe e shoqëruar nga anëtarë të tjerë mbretërorë që ecin pas. Gjithashtu, në mesin e të ftuarve të funeralit do të jenë rreth 200 njerëz të nderuar nga Mbretëresha e ndjerë për punën e tyre në përgjigje ndaj pandemisë se COVID-19. Aeroporti Heathrow i Londrës njoftoi se do të ndalojë të gjitha fluturimet për 15 minuta përpara heshtjes kombëtare dy minutëshe, me qëllim “për të shmangur zhurmat”. Nga Londra, arkivoli i Mbretëreshës më pas do të çohet me makinën e funeralit në Windsor për një shërbim të përkushtuar në kapelën e Shën Gjergjit pranë kështjellës Windsor, ku do të marrin pjesë 800 njerëz, duke përfshirë anëtarët e familjes së mbretëreshës. Në fund të shërbimit, arkivoli do të ulet në varrin mbretërore dhe Kryepeshkopi i Canterburyt, Justin Welby, do të shpallë bekimin dhe kongregacioni do të këndojë “God Save The King”. Anëtarët e familjes mbretërore do të mbajnë më pas një shërbim varrimi privat në Kapelën Përkujtimore të Mbretit George VI, ku Mbretëresha do të varroset me bashkëshortin e saj të ndjerë, Princin Philip, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare.


