Me një këngë të krijuar nga ai vetë, të titulluar “Mall”, Eugent Bushpepa është një nga të rikthyerit e Festivalit të Këngës në RTSH këtë vit.
Bushpepa rikthehet në Festivalin e fundvitit pas një periudhe të gjatë mungese. Ashtu si edhe shumë të tjerë, ai ka rezervat e veta për këtë festival, që për shumë vite i ka shërbyer vetëm një kënge, asaj fituese. Bushpepa shpreson që gjërat të kenë ndryshuar për mirë. Me një këngë rrok dhe me vokalin e tij të shkëlqyer, Bushpepa do të shkundë Pallatin e Kongreseve. Ai është i pari që i ka dëgjuar “thashethemet” e fitores, por arsyeja e rikthimit, nuk është kjo…
Ju jeni një ndër emrat pretendentë për të fituar festivalin, madje kënga juaj është më e klikuara në internet, e prisni fitoren?
Fjala jote në vesh të Perëndisë! Për këtë qëllim marrin pjesë të gjithë në festival. Pse jo, shpresoj të arrijmë një rezultat të mirë. Jam i kënaqur që kënga ime është pëlqyer.
Kënga juaj titullohet “Mall”. Mall për kë?
Kjo këngë ka një histori të veçantë. Kam qenë larg familjes kur e kompozova dhe kur u ktheva këtu, atë ndjenjë që kisha kur isha larg familjes, u mundova ta hedh në 4 rreshta.
I keni realizuar vetë të gjitha, nuk mendoni se ka më shumë përgjegjësi…?
Sigurisht që po, por duke qenë se kjo këngë ishte shumë afër meje, doja që të gjitha elementet t’ia realizoja vetë, edhe pse çunat kanë ndihmuar shumë.
I keni dëgjuar këngët e tjera, si do ta vlerësonit këtë edicion?
I kam dëgjuar dhe mund të them se ka materiale shumë të mira, siç ka edhe këngëtarë të rinj shumë të talentuar. Do të përmendja Inis Nezirin, e cila është një superkëngëtare. Po ashtu, Redon Makashi ka një këngë shumë të ndjerë, Elton Deda ka një këngë rrok… Janë shumë e s’po i marr të gjitha me radhë.
Nuk është hera juaj e parë në festival, me sa kujtoj keni konkurruar edhe me Rovena Dilon, cila është pritshmëria juaj nga ky festival?
Kjo është hera e tretë që marr pjesë në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Hera e parë ka qenë viti 2000, ku kam konkurruar me një grup nga Mirdita, “Sunrise”. Kam konkurruar më vonë në një bashkëpunim me Rovena Dilon me një këngë që u fut në finale, por doli diku në vend të 12-të… U bënë 9 vite që atëherë… Tani rikthehem me shpresën që gjërat të kenë ndryshuar për mirë. Shpresoj të vlerësohet ai që duhet të vlerësohet.
Shpesh ndodh që këngëtarët që nuk fitojnë të zhgënjehen dhe të thonë që nuk marrim më pjesë në festival…
Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kam marrë pjesë për shumë kohë. Nuk jam kthyer sepse e di që do të fitoj apo sepse kështu janë hapur thashethemet, por sepse mendoja që materiali që kisha ishte i përshtatshëm. Nga të gjitha këngët që kam për album, këtë e pashë si më të përshtatshmen për ta paraqitur në këtë festival.
Ky edicion dallon për faktin se i rikthehen emra që i kanë munguar prej vitesh. E sheh këtë si konkurrencë, apo një arsye më shumë për t’u kthyer?
Më së shumti e shoh si një rast për t’u argëtuar, si atmosferë, e shoh më shumë si show, sesa si konkurrencë mes pjesëmarrësve. Mbase këngët rrok nuk vlerësohen aq sa duhet në Shqipëri, komercialiteti bën të vetën dhe shumica e shqiptarëve janë larguar nga muzika rrok, por shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare.
Për shumë vite ky festival i ka shërbyer vetëm një kënge, asaj që shkon në Eurosong, dhe jo promovimit të muzikës shqiptare, a ia vlen gjithë ky investim, për një këngë?
Fituesja që do të dalë, do të përfaqësojë Shqipërinë dhe qoftë një këngë që e vlerëson shumica, qoftë një këngë që e përkrah juria profesioniste e RTSH-së, është normale që të mbështetet dhe të promovohet, por që të zgjidhet nga vetëm një kompeticion më duket pak e padrejtë.
Ky është një diskutim i hershëm tashmë. Ka pasur propozime që kënga të përzgjidhet nga festivale të ndryshme, nga publiku, ose të jetë fryt i një bashkëpunimi…
Do të ishte mirë, përmes një bashkëpunimi, të zgjidhej më e mira për Shqipërinë. Të zgjidhej materiali i duhur që ta përfaqësonte sa më denjë- sisht Shqipërinë në Eurovizion.
Jeni gati për në Eurovizion?
Të them të drejtën, jo! “Shpresoj” të mos e fitoj.. /Alma Mile