Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancën e radhës plenare, e cila nisi me debate për shkak të çështjes së Belinda Ballukut. Deputetët demokratë kërkuan që të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, ndonëse kryeministri Edi Rama pas vendimit të Kushtetueses tha se nuk ka asnjë urgjencë për këtë kërkesë.
Situata u tensionua nga fjalori që përdori Sali Berisha në foltore, duke i thënë mazhorancës se “po mbrojnë vithet e Belindës”. Kjo frazë mjaftoi që kryetari i Kuvendit t’i ndërpresë fjalën për fjalor të papërshtatshëm, ndërsa deputetët demokratë bashkë me kryetarin e tyre bllokuan foltoren.
“Mbani në Këshillin e Mandateve një kërkesë të SPAK për heqjen e imunitetit të zvkryeministres. Është imuniteti i kryeministrit në fakt. Doni të shpikni dispozita ligjore për ti vënë në dispozicionin tuaj për të mbrojtur veten tuaj me imunitet. Mblidhni Këshillin e mandateve, justifikimi juaj për Kushtetuesen ka rënë, mblidh Këshillin e Mandateve”, tha Luçiano Boçi.
“Kurrë ndonjëherë të dashur qytetarë nuk keni pasur në këtë sallë një grup njerëzish, të cilët shkelmojnë mbi interesat tuaja jetike për të mbrojtur, më falni, në pamje të parë vithet e Belindës, në të vërtetë Edi Ramën”, tha Berisha.
Kjo situatë bëri që seanca të ndërpritej për 5 minuta dhe të riniste sërish, ndërsa kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i bëri thirrje Berishës që të lirojë foltoren duke i thënë se gjithë jetën i ka shërbyer Serbisë.
Në Kuvend u miratua propozimi i Taulant Ballës që deputetët Tritan Shehu dhe Igli Hasani të përgatisin një deklaratë për mbrojtjen e 4 ish-krerëve të UÇK-së, për të cilët Haga ka kërkuar 180 vjet burg.


