Kryetari i grupit të PS-s Balla thotë se një grup politikanësh të korruptuar po tentojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë.
Gjatë fjalës që mbajti në Kuvend, Balla tha se Basha po sillet si huligan që godet forcat e rendit.
Më tej ai thotë se PD-ja është peng i një financimi të dyshimtë me burim rus prej më shumë se një milion dollarësh.
“Një grup politikanësh të korruptuar në përpjekje për të vijuar punën për bllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë po protestojnë para Kuvendit. Policia ka mbështetjen tonë për vijimin e punës së vettingut. Do të doja të kundërshtoja deputetin e opozitës (Myslim Murrizi), ne nuk tërhiqemi nga asnjë lloj vettingu.
Ky ligj ka marrë edhe votën e LSI-së atë kohë kur u miratua, ndërsa PD-ja ishte në gjumë. Ata politikanë të korruptuar urdhërojnë elementë të inkriminuar të godasin policinë.
Duhet të forcojmë edhe ligjin e financimit të partive. Jemi përpara një akti të konfirmuar se për fatin e keq të shqiptarëve, sot dëshmohet që PD-ja të jetë peng i një financimi të dyshimtë me burim rus prej më shumë se një milion dollarësh.
Doja të përgëzoja sot ministrin Lleshaj për miradministrimin e situatave si këto të sotmet, ku një grup politikanësh të korruptuar, sëbashku me element kriminal po tentojnë të bllokojnë rrugën europane të Shqipërisë.
Keni mbështetjen tonë për të ashpërsuar Kodin Penal, për këto që ushtron dhunë për shkak të detyrës. Ne nuk u tërhoqëm nga vetingu në Drejtësi, nuk tërhiqemi nga vetingu në polici dhe do të bëjmë realitet vetingun në politikë. Do ishte mirë dhe opozita ta mbështeste sepse kur vjen puna për vetingun duhet të jemi të gjithë bashkë.
Lulzim Basha është një huligan që merr përsipër të godasë punonjësit e policisë së shtetit apo personat e zgjedhur me votë, por të jeni të sigurte kushdo tenton të ushtrojë dhunë do marrin ndëshkimin e merituar”, tha Balla.


