Kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga Shkodra kritikave dhe akuzave të protestuesve ndaj qeverisë. Në fjalën e tij, në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Rama mbrojti punën e qeverisë së tij, duke theksuar se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me vite më parë.
“Ne jemi vërtetë një forcë që nuk kemi asnjë arsye që të pretendojmë se kemi bërë çdo gjë mirë, por askush nuk mund të dalë dhe të thotë që ne jemi tradhtarë, që ne jemi shkatërrimtarë, sepse ne jemi patriotë dhe jemi shpëtimtarë. Mjafton të mendosh se sa mijëra e mijëra njerëz i shpëtuam nga vetmia nën qiell të hapur edhe nga gërmadhat e jetës së tyre që ju shkatërrua për 30 sekonda kur ra tërmeti. Ashtu sikundër mjafton të kthesh kokën pas edhe të shohësh se çfarë ishte Shqipëria”, u shpreh kryeministri.
Rama ironizoi disa prej figurave publike dhe influencuesve, duke i akuzuar për standarde të dyfishta. Sipas tij, ato që udhëtojnë shpesh jashtë vendit dhe shijojnë destinacione turistike të zhvilluara, nuk mund t’u kërkojnë shqiptarëve që të heqin dorë nga investimet dhe zhvillimi ekonomik.
“Për blogera dhe për influencera se më thoshin po çfarë bëre ashtu dje? Po më tregonte një nga ato punonjësit e rinj ishte njëra te Kulla Eifel dhe kishte bërë një foto dhe dukej tre herë më e gjatë se unë, aq sa kur e pashë thashë po më bie kështu sipër edhe thoshte shyqyr u hap koha në Paris. Natyrisht në qoftë se ti i ke të gjitha mundësitë të shkosh çdo fundjavë sa në Paris e sa në Dubai, ty për hajër të dalë. Po ti nuk ke pse i thua shqiptarëve që atje e dua komplet të virgjër bregun e detit. Atje nuk dua të shoh asnjë ndërtim. Atje dua rërën, dua flamengot, dua dhe pemët se atje do dal me bikini”.


