Prokuroria spanjolle do të kundërshtojë të mërkurën ekstradimin e një shqiptari të kërkuar në vendin tonë për thirrje ekstremiste përmes postimeve në Facebook. Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Kreshnik Haxhiaj, i cili rezulton me precedentë penale për vrasje. Por autoritetet shqiptare i kanë bërë kërkesë Spanjës për të ekstraduar Haxhiajn, pas mesazheve që ky i fundit bënte në FB drejtuar autoriteteve të ndryshme, përfshirë presidentin dhe kryeministrin, ku thoshte: “Kush mendoni se ka guxim të shpërthejë bombat?!”.
Kërkesa për ekstradim është për veprën penale të nxitjes, apelit publik dhe propagandës për kryerjen e veprave për qëllime terroriste që përcaktohet në kodin penal shqiptar. Megjithatë, sipas kallëzimit të prokurorit të Gjykatës Kombëtare spanjolle, këto thirrje nuk cilësohen si krime për glorifikimin e terrorizmit apo nxitjes së aktev terroriste, ndaj edhe nuk ka pranuar ekstradimin e shqiptarit. Ndaj i takon Seksionit të Dytë Penal të Gjykatës Kombëtare spanjolle që të vendosë nëse do të pranojë dorëzimin e Kreshnik Haxhiajt, drejt autoriteteve shqiptare.
I pandehuri banonte në qytetin e Tropojës dhe në maj të vitit 2021 është larguar nga territori shqiptar, sipas dokumentacionit të ekstradimit. Prokuroria e Gjykatës Kombëtare argumenton se në këtë rast nuk plotësohet kërkesa e kriminalitetit të dyfishtë dhe dënimit minimal, duke qenë se faktet e referuara në kërkesën për ekstradim nuk dënohen në Spanjë.


