Elvis Koçi, i njohur ndryshe si “Vis Korçari”, është një emër i njohur për policinë, pasi gjatë viteve të fundit është përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, konflikte të armatosura dhe hetime nga Prokuroria e Posaçme.
Një nga episodet më të bujshme që e bëri të njohur ndodhi në nëntor të vitit 2020 në Elbasan, ku ai u përfshi në një konflikt të armatosur pranë stadiumit të qytetit. Pas një përplasjeje fizike me Migert Qosjan, situata degradoi në shkëmbim zjarri, ku “Vis Korçari” mbeti i plagosur në shpatull.
“Nuk kam konflikte me asnjë, personat që më sulmuan i shihja për herë të parë”, shprehej Ervis Çausholli.
Ai u largua nga vendngjarja dhe kërkoi ndihmë mjekësore në spital, ku më pas u arrestua nga policia. Për këtë çështje u dënua për armëmbajtje pa leje me 3 vite e 4 muaj burg pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.
Emri i tij është përmendur gjithashtu në dosje të rëndësishme hetimore, mes tyre edhe në hetimet e njohura si “Plumbi i Artë”, ku ai u hetua në lidhje me një plan të dyshuar kriminal në Elbasan, megjithëse më pas pati zhvillime të tjera procedurale në gjykatë.
Së fundmi, “Vis Korçari” u rikthye në qendër të vëmendjes pas arrestimit në zonën e Ksamilit. Sipas raportimeve mediatike, gjatë operacionit policor ai tentoi t’i shmangej arrestimit dhe gjatë largimit përplasi automjete të policisë.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit ai u neutralizua dhe u vu në pranga. Për ngjarjen pritet që ndaj tij të rëndojnë edhe akuza të tjera që lidhen me kundërshtimin e forcave të policisë dhe dëmtimin e mjeteve.
Emri i “Vis Korçarit” është shfaqur shpesh në raportimet policore të viteve të fundit, kryesisht në lidhje me konfliktet mes grupeve rivale në Elbasan, një qytet që për një periudhë të gjatë ka qenë skenë e përplasjeve të forta mes personazheve të botës së krimit.
Në dosjet hetimore ai është përshkruar si person me precedentë penalë dhe me lidhje në ambientet kriminale të zonës.
Ngjarjet ku është përfshirë, nga shkëmbimet e zjarrit në Elbasan deri te arrestimi i fundit pas tentativës për arratisje, e kanë bërë Elvis Koçin, ose “Vis Korçarin”, një nga personazhet më të njohur të kronikës së zezë shqiptare.
Nuk dihet ende arsyeja e ndalimit të Çaushllarit, por burime të pakonfirmuara ende bëjnë me dije se ai kërkohej pas një dënimi nga GJKKO


