Ilir Meta ka nisur fushatën nga Presidenca, për zgjedhjet e 25 prillit.
Ai thotë se në zgjedhjet e 25 prillit nuk pret thjesht një rotacion, por një përmbysje.
“Është momenti për një ndryshim të fortë dhe të qartë të vendit, që do përcaktojë një rrugë të qartë europiane, dhe kjo arrihet vetëm përmes një ndryshimi”, tha ai në emisionin “Kjo javë”.
Sipas Ilir Metës, fakti që nuk po çelen negociatat me BE tregon se jemi në krize.
“Për mua nuk është më i rëndësishëm rotacioni, sepse ai do të thotë më shumë ndryshim raportesh në qeverisjen e vendit. Vendi ka nevojë për një përmbysje, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë, e them shpesh koha e ndryshimit ka ikur që prej katër vitesh. Këto katër vite, që kemi kaluar kanë folur për një përkeqësim të rëndë të situatës, në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Kemi parë një përkeqësim të situatës ekonomike dhe sociale, që përpara se të ndodhte pandemia. Ka një rritje të polarizimit shoqëror në vend. Kemi një rritje të jashtëzakonshme të borxhit.
Ndërkohë kemi një rënie të ndjeshme të ardhurave për qytetarët shqiptarë, që do të thotë se ky borxh që është marrë ngrihet në nivele shumë të larta dhe nuk ka shërbyer as për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe as për të luftuar varfërinë.
Ky borxh ka shkuar në interes të grupeve të përzgjedhura të sipërmarrësve, të cilët kanë vazhduar të fitojnë koncesione tepër të dyshimta.
Në këtë drejtim, jemi në një situatë ku vetë mosçelja e negociatave me Bashkimin Europian tashmë për një kohë të gjatë, tregon për krizën, jo thjesht për stanjiacionin. Është momenti për një ndryshim të fortë dhe të qartë të vendit, që do përcaktojë një rrugë të qartë europiane, dhe kjo arrihet vetëm përmes një ndryshimi.
Unë, mendoj, që në tërësi populli shqiptar kërkon një ndryshim të fortë edhe të qartë. Treguesi i shifrave të largimit të shqiptarëve, sidomos i të rinjve nga vendi është alarmues. Mos harrojmë se, është rritur shumë. Sidomos cilësia e qytetarëve dhe e të rinjve që largohen.
Nga Shqipëria po ikën, jo vetëm mosha më aktive e popullsisë, por njëkohësisht edhe intelektualët, të rinjtë shumëmirë të arsimuar apo ata që janë në punë të mirëpaguara dhe me një nivel të mirë të jetesës. Kemi të bëjmë me një mungesë shprese dhe pasiguri, që duhet të marrë një përgjigje përmes 25 prillit”, u shpreh Meta.
Ai i bëri thirrje shqiptarëve që të ndëshkojnë me votë ata që i kanë gënjyer.
“E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër.
E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij.
Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata”, tha ai.
Pyetje: A e shihni Ju, opozitën të bashkuar, njëzëri zoti Meta?
Meta: Kjo nuk është shumë e rëndësishme. Unë, mendoj, që në tërësi populli shqiptar kërkon një ndryshim të fortë edhe të qartë. Treguesi i shifrave të largimit të shqiptarëve, sidomos i të rinjve nga vendi është alarmues. Mos harrojmë se, është rritur shumë. Sidomos cilësia e qytetarëve dhe e të rinjve që largohen.
Nga Shqipëria po ikën, jo vetëm mosha më aktive e popullsisë, por njëkohësisht edhe intelektualët, të rinjtë shumëmirë të arsimuar apo ata që janë në punë të mirëpaguara dhe me një nivel të mirë të jetesës.
Kemi të bëjmë me një mungesë shprese dhe pasiguri, që duhet të marrë një përgjigje përmes 25 prillit.
Pyetje: Po, por alternativat janë këto Zoti Meta, qeveria aktuale, apo opozita e bashkuar apo jo? Nuk e di sepse nuk e mora ende përgjigjen tuaj, opozita kërkon të vijë në pushtet për ta përmbysur?
Meta: Këto janë pyetje që u takojnë kryetarëve të forcave të caktuara politike. Për mua si President, është e rëndësishme që i gjithë populli shqiptar ta vlerësojë si një referendum 25 prillin, për të ardhmen e tij europiane, që është vënë në diskutim tepër serioz.
Pyetje: Presidenti i Republikës, por edhe si politikan me shumë përvojë, kur shohim këtë atmosferë pak përpara zgjedhjeve, duket se opozita është pak vonë me listat. Cili është perceptimi juaj zoti President, me një listë bashkë apo me dy lista? A do të ndahej opozita nëse bëhej fjalë për dy lista ?
Meta: Kjo nuk është një çështje aspak e rëndësishme për mua dhe as për qytetarët shqiptarë. Mendoj se mesazhi kryesor është mesazhi i ndryshimit të fortë edhe i rimarrjes së përgjegjësive nga vetë qytetarët e Shqipërisë, për të ardhmen e familjeve dhe vendit të tyre.
Dhe kjo do të ndodhë vetëm përmes pjesëmarrjes së tyre masive në këto zgjedhje, të cilën nuk e shoh si një mision patriotik.
Pyetje: Por populli duhet të zgjedhë apo jo?
Meta: Unë mendoj se populli do të zgjedhë ndryshimin, kjo është e rëndësishme.
Kush e përfaqëson më mirë ndryshimin? Kjo është çështje e alternativave të caktuara. Por, e rëndësishme është që qytetarët të shkojnë të votojnë dhe të zgjedhin ndryshimin, të garantojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë, që është vënë në pikëpyetje.
Vendi ka nevojë për një ndryshim të fortë.
Pyetje: Shumë kemi dëgjuar të lakohet ndoshta apo për mundësinë e një koalicioni të madh PS-PD, ju do ta përkrahni? Sa është mundësia e një koalicioni të tillë zoti Meta?
Meta: Më duket se u shpreha shumë qartë. Unë, nuk ndërhyj në raportet e forcave politike. Për mua si President, është problem tepër serioz e ardhmja e vendit, që është vënë në pikëpyetje.
Kjo pikëpyetje e merr zgjidhjen përmes referendumit të 25 prillit, përmes garantimit të një ndryshimi të fortë, të rikthimit të vendit në shinat e Kushtetutës, të shtetit ligjor, të demokracisë dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies, që janë rrëzuar totalisht vitet e fundit, për shkak të një sundimi njëpartiak.
Pyetje: Gjithsesi kjo duket se nuk është aspak e lehtë, sepse për ta arritur në kushtet që jemi edhe me eksperiencën e asaj çfarë po shohim…me politikanët që kemi, partitë që garojnë Zoti Meta..?
Meta: Prandaj janë qytetarët, ata të cilët duhet t’i japin prioritet vetes së tyre, dhe nuk duhet të presin nga politikanët.
E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër.
E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij.
Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata.
Pyetje: Edhe një pyetje lidhur me koalicionet që, thamë pak më parë. Zoti Meta, mund të ketë ndoshta një çedim të ndonjë prej partive të opozitës, pas zgjedhjeve të 25 Prillit?
Meta: Nuk më duket një pyetje e përshtatshme për mua, se çfarë do të bëjë një parti e opozitës. Në rast se një parti e opozitës do të çedojë nga çfarë?
Pyetje: Do të marrë një anë tjetër, gjithmonë për koalicionet flas.
Meta: Në çfarë ane, në anën e ndryshimit apo në anën e greminës?
Pyetje: Kjo mbetet për t’u parë pastaj. Por, gjithmonë tek bashkimi i opozitës është fjala. Sa e bashkuar është opozita dhe sa mund të çedojë një parti opozitare pas zgjedhjeve të 25 Prillit?
Meta: Unë nuk ndërhyj dot në këtë çështje. Unë, besoj se e ardhmja i takon atyre që janë për ndryshim. Ata, që duan të shkojnë në anën e greminës, mund të shkojnë. Por, nuk e shpëtojnë dot autobusin që është nisur për në fund të greminës.
Pyetje: Zoti Meta, Ju, keni deklaruar shpesh herë sidomos gjate muajt të hetimit parlamentar ndaj jush, se do të jeni President i Republikës së Shqipërisë deri më 24 korrik 2022. Po pas kësaj ku e shihni veten zoti President?
Presidenti Meta: Unë, veten e shikoj gjithmonë në Shqipëri. Në mes të shqiptarëve dhe në shërbim të tyre.
Pyetje: A keni vullnet për ta vijuar punën përsëri si kryetar shteti?
Presidenti Meta: Unë, punoj çdo ditë me vullnet maksimal në shërbim të qytetarëve.
Pyetje: Për të qenë përsëri si kryetar shtetit?
Meta: Për të qenë një shqiptarë i mirë në radhë të parë, dhe i përgjegjshëm.