Ilir Meta e ka nisur ditën sot me një hartim, nga ato që zysha ua jep si detyrë nxënësve të 9-vjeçares gjatë pushimeve verore, për tua kontrolluar në shtator.
Si një “nxënës i mirë” Presidenti i Republikës sonë, e kishte mbaruar që sot hartimin e tij me titull: “Të mos kalojmë në Kundër Kohë!
Në një stil dukshëm që nuk është i Ilir Metës, (në kohë plazhi lejohen edhe kopjet) thelbi i mesazhit që ka dashur të përcjellë, ishte: Koha për një marrëveshje të re politike është tani, sepse në tetor, do të jetë shumë vonë. Pasi kështu, do të jemi në KundërKohë, si gjithmonë në histori.
Ilir Meta ose po kërkon që të krijojë alibinë e tij pas shkarkimit si President në vjeshtë, ose bën sikur nuk kupton fare, ose nuk e kupton vërtetë që Koha e vërtetë e Shqipërisë, ishte më 30 Qershor.
Atë ditë ishte koha kur mori fund njëherë e përgjithmonë historia 30 vjeçare e marrëveshjeve tejet të vonuara, që shoqëroheshin me amnisti politike për të gjithë politikanët e përfshirë në krime dhe korrupsion.
Të kërkosh sot që të përsërisësh atë që reforma në drejtësi varrosi njëherë e përgjithmonë më 30 Qershor, do të thotë që të jesh në KundërKohë, nga frika e SPAK dhe BKH.
Kjo është arësyeja se përse mazhoranca dhe ndërkombëtarët përsërisin se Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë sot, ende në kohë vetëm për një opsion:
Për “dialog pa kushte!” Por kurrë më, për një tjetër “marrëveshje tejet të vonuar!”
Në tetor, nëse vijohet me këto lloj hartimesh nga ana e lidershipit të rrugës, edhe ky opsion mund të jetë në KundërKohë! Sepse, koha nuk punon asnjëherë për të shkuarën, por vetëm për të ardhmen.
/Marrë nga Alfred Peza@ blogu personal


