Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe njëkohësisht ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka deklaruar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, deri para një viti ka mbrojtur parimet evropiane në Ballkan, përderisa së fundmi i ka shkelur pikërisht parimet e tilla, duke hyrë në aventura, të cilat do të mundë të sillnin luftë në Ballkan
Tahiri shprehet se është takuar disa herë në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me ç’rast ka krijuar vlerësime të ndryshme për punën pesëvjeçare të kryediplomates evropiane.
Sipas ish-ministres, deri para një viti Mogherini ka mbrojtur parimet evropiane në Ballkan, ndërsa së fundmi i ka shkelur pikërisht këto parime.
“Nga përvoja ime që kam pasur me zonjën Mogherini, deri para një viti ajo ka qenë në mbrojtje të parimeve evropiane në Ballkan e të cilat kanë qenë që gjashtë vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën, të bëhen anëtare të BE-së. Mirëpo se çfarë ndodhi në vitin e fundit dhe pse ajo shkeli parimet evropiane e doli në disa aventura, të cilat do të mundë të sillnin luftë në Ballkan, këtë nuk e di”, thotë Tahiri.


