Policia e Kurbinit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Heat”, në të cilën është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në pranga ka rënë 47-vjeçari L. N. Në fakt, ishte një punonjës i OSHEE që ka zbuluar lidhjen e paligjshme të energjisë në banesën që kultivohej droga. Pas kontrollit policor në këtë godinë, është gjetur një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin
Finalizohet operacioni policor i koduar “Heat”, gjatë të cilit u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Operacioni, nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe punonjësit e OSHEE-së.
Vihet në pranga pronari i banesës.
Sekuestrohen pajisje elektrike që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë dhe të OSHEE-së, është konstatuar se pronari i banesës kishte kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe me punonjësit e OSHEE-së, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si dhe për evidentimin e rasteve të abuzimit me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, bazuar në informacionet policore, kanë ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Shpërdhet, Njësia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin.
Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit L. N. është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në ambientet e brendshme të banesës, u evidentua një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. N., 47 vjeç, banues në fshatin Shpërdhet.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.