Ato që deri dje konsideroheshin si deklarata sporadike të krerëve të LSI kundër ambasadorëve të BE-së, OSBE-së dhe Uashingtonit në Tiranë, tashmë qartazi duket se është një sulm i koordinuar dhe një strategji e mirëmenduar nga ana e lidershipit të kësaj partie.
Përforcimi i vlerësimit se kemi të bëjmë me një sulm të koordinuar qartazi nga LSI ndaj perëndimit në Tiranë u bë i dukshëm, pasi sot nga Fieri kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, akuzoi ambasadorët perëndimorë në Tiranë se kanë intimiduar LSI për çështjen e Reformës në Drejtësi. Madje ajo shkoi më tej kur deklaroi se votat e LSI u mbajtën peng.
“Besoj që të gjithë e mbani mend intimidimin që i bënin LSI, media të ndryshme, ambasadorë të ndryshëm apo dhe qeveritar të PS, kur thonin që LSI nuk është pro reformës.
Dua t’jua bëj të qartë njëherë e përgjithmonë, e kam thënë me të huaj dhe me të brendshëm në media dhe dua ta ripërsëris edhe njëherë.
LSI ka qenë e vetmja parti politike e cila votat e saj i la peng në Washington dhe në Bruksel, pra votat e LSI ishin vota të cilat shkonin në krah të reformës për drejtësi.
Për shkak të kësaj reforme ne mbyllëm gojën në publik për të folur për atë çka po ndodhte me institucionet e shtetit shqiptar dhe sot ne do të mbajmë kusuret tona mbi kurriz për të vazhduar atë proces që kemi nisur”, deklaroi Kryemadhi.


