Javë pas jave dhe ditë pas dite po dëgjojmë gjithnjë e më shumë “çudira” përsa i përket ushqimeve që hamë dhe që shtrojmë në tryezat tona.
Nëse do të ishte vetëm opinioni i disa qytetarëve, ndoshta nuk do merrej parasysh, por dita ditës denoncimet dhe doza e akuzave po rriten dhe janë shtuar pikëpyetjet që duan përgjigje rreth produkteve që konsumojmë.
Vetëm tri javë më parë, ministri i bujqësisë, Niko Peleshi, mbylli plot 84 dyqane mishi ku 76 ishin pika therje, dhe 8 thertore të cilat nuk plotësonin asnjë standard.
Këtu ai dhe pranoi ekzistencën e problemit: “Pikat e therjes që janë mbyllur, si të pashpresa se mund të arrijnë ndonjëherë standardet, sepse janë vite dritë larg standardeve ligjore nuk do të hapen më. Askush nuk duhet të guxojë t’i hapë ato natën, larg syrit të inspektorëve apo të shtetit”, tha Peleshi.
Por nuk mbaron këtu. Një javë pas ngjarjes së mësipërme, një video me pamje skandaloze u shpërnda në rrjet.
Kjo video e publikuar në datën 2 nëntor paraqet shumë qartë se cilat janë kushtet alarmante se si transportohet mishi.
Mishi hidhet në dyshemenë e një furgoni dhe transportohet në drejtim të dyqaneve. AKU në Lezhë thotë se është bllokuar subjekti në pronësi të Nush Thercaj, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është vepra e vetëm një individi.
Për më shumë ndiqni videon:
Tri janë produktet që po përfliten se kanë rrezikshmëri të lartë sipas AFI:
Mishi me ngjyrues
I njëjti studim mori në analizë produktet e kategorisë së mishit, ku të paktën 15 % e produkteve të analizuara rezultuan me ngarkesë të lartë mikrobiale.
“Kjo tregon që kushtet higjeno sanitare në të cilin ruhet, transportohet apo përpunohet mishi nuk janë sipas parametrave të lejuar nga normat kombëtare dhe ndërkombëtare. 20% e tyre rezultoi me prezencë të mundshme të ngjyruesit E 120. Ky element shërben për ta bërë mishin të duket sa më i freskët” thuhet në studim.
Por pavarësisht elementëve të mësipërm duket se njëri nga kampionet e marrë për testim ka rezultuar pozitiv edhe ndaj salmonelës.
Vaj ulliri? Shitet si i tillë por nuk është në të vërtetë
“Përsa i përket vajrave të analizuar, parametrat e tyre rezultuan brenda normave për 80% të tyre. Për një nga vajrat e ullirit të testuar, rezultoi se parametrat e tij nuk përputhen me ato të vajit të ullirit, ekzaminimi spektrofotometrik dhe metilet e jashtme të acideve yndyrore rezultuan jashtë normave.
Përqindja e ulët e acidit oleik tregon se ky nuk është vaj ulliri. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me ligjin tregton një produkt që etiketa nuk përputhet me përmbajtjen” thuhet ne studim
Qumështi me aflatoksinë dhe gjalpi me vaj palme
Në analizë janë marrë qumështi dhe nënproduktet e tij ku nga 8 produkte dhe nënprodukte të dy prej tyre (25 %) rezultuan me aflatoksinë, (një nga produktet e qumështit të testuar dhe një nga produktet e kosit). “Alflatoksina M1 gjendet tek produktet e bulmetit dhe është një nga toksinat më të rrezikshme që ekzistojnë [10]. Ajo mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe kancer që rezulton nga aktivizimi i P450 në epoksid i cili prek 28 ADN [9].
Ndërsa qumështi i fshatit i tregtuar në bidon 1.5 kg rezultoi me ngarkesë të lartë mikrobiale. Kjo tregon që procesi i mjeljes, transportit paketimit, dhe/ose ruajtjes nuk i respekton parametrat kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Një nga produktet e gjalpit me sasi të acidit oleic më të lartë se normat e lejuara ndërsa një nga produktet e djathit me sasi të acidit palmitic më të lartë se normat e lejuara. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me nenin 36 të ligjit të ushqimit nuk tregon përbërësin ‘vaj palme’ në etiketë. Produktet e tjera nuk paraqesin probleme” nënvizon studimi.
I njëjti publikim nënvizon rolin që kanë institucionet që kontrollojnë zinxhirin ushqimor i cili shfaq problematika që lidhen nga mbivendosja e kompetencave tek mangësitë ligjore si dhe njohuritë e cunguara të stafeve që vijnë si efekt i paqëndrueshmërisë së tyre në detyrë nga lëvizjet e shpeshta.
Në fund studimi rekomandon edhe disa masa që mund të merren për të përmirësuar sigurinë ushqimore.
POR, personi që e solli vëmëndjen tek ky studim, është pikërisht ish ministri i bujqësisë, Edmond Panariti që nëpërmjet një statusi në Facebook hodhi vëmëndjen tek qumështi vendas, i cili, sipas tij përmban subsanca kancerogjene. Statusi i plotë si më poshtë:
Pyetja lind: Pse Panariti po përgënjështron vetveten? Pasi ishte pikërisht ai që në Maj të 2017 deklaroi gjatë vizitës në një kompani të përpunimit të qumështit, se ishte arritur që të garantohej cilësia dhe siguria e prodhimit të qumështit.
Duke qënë se e gjitha kjo po kthehet në një situatë kaotike, e ndoshta shumë qytetarë vijonë të jenë të pasigurt për situatën dhe siguria ushqimore flitet të ketë rënë përtokë, ministri i bujqësisë ka reaguar sërish sot me anë të një statusi në Facebook.
Përgatiti: AlpeNews.al






