Krishti u ngjall! Besimtarët katolitë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar.
Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Meshën në Katedralen e Shën Palit e drejtoi Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili uroi besimtarët dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, sociale e mediatike për tu vënë në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë. Shumë qytetarë iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytetet ku jetojnë për të kremtuar festën e shenjtë.
Ndërsa sot është dreka e Pashkës. Në tryezën e besimtarëve nuk mungon buka e Pashkës dhe vezët me ngjyrë të kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes, të cilët më parë janë dërguar në Katedralen Katolike për tu bekuar.
Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.
Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.Në shportën me ushqime, nuk mungon as një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës. Në tryezën e kremtimit të Pashkëve nuk mungon mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë.
Pashkët festohen të dielën, pas periudhës 40-ditore të quajtur Kreshmë që është periudha e agjërimit, ku besimtarët heqin dorë nga produktet e kafshëve. Ndërkohë java e Shenjtë nis të dielën e Palmës, vazhdon të Enjten e Premtuar, të Premten e Mirë, dhe në fund, të Dielën e Pashkëve.