Linja ajrore Cathay Pacific Airways nga Hong Kongu ka njoftuar se do të fillojë të përdorë përsëri hapësirën ajrore ruse në disa fluturime, pas një pauze disa-mujore pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të këtij viti.
Pauza kishte ndaluar funksionimin e disa linjave ajrore, por tashmë fluturimet nga Nju Jorku në Hong Kong, e njohur si “Rruga Polare” do të nisin sërish nga e marta e ardhshme.
“Fluturimi ofron një përvojë të sigurt dhe më të shpejtë për klientët tanë që udhëtojnë nga Bregu Lindor i Amerikës së Veriut në Hong Kong,” tha linja ajrore, duke shtuar se nuk kishte sanksione që e pengonin atë të ndërmerrte këto fluturime.
Cathay Pacific deklaroi në mars se nuk do të përdorte hapësirën ajrore të Rusisë, gjë që u përkthye në fluturime më të gjata dhe më të vështira për linjën dhe pasagjerët, ndërsa kujtojmë se Rusia ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për linjat evropiane dhe amerikane në përgjigjje të sanksioneve të vendosura ndaj tyre.


