Qytetarët që kanë kredi në euro dhe të ardhurat në lekë, kanë të drejtë të kërkojnë konvertimin e huasë në monedhën vendase.
E drejta për ta kthyer kredinë në monedhën që përfiton të ardhurat është si për kreditë konsumatore, edhe për ato të marra për shtëpi. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë miratoi ndryshimet e rregullores “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”. Banka e Shqipërisë sqaroi se ndryshimet synojnë të mbrojnë konsumatorët.
Ndryshimet parashikojnë edhe masa edukative për qytetarët që do të përcillen nga bankat e nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë u ka kërkuar bankave të nivelit të dytë që, nëpërmjet një shembulli ilustrues, të sqarojë bizneset dhe individët për ekspozimin e riskut të kursit valutor dhe normës së interesit në monedhë të huaj, në rast se aplikohet për të marrë kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave. “Këto ndryshime synojnë shtimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat europiane të kësaj fushe.
Ndryshimet e miratuara, krahas disa kërkesave për bankat, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat, si dhe shtimin e një shembulli ilustrues, që banka duhet t’ia vendosë në dispozicion konsumatorit si pjesë të informacionit parakontraktor, në rastet kur ai aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tij”, citohet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë ka miratuar edhe planin e masave për uljen e përdorimit të euros në vend, të cilat do të nisin të zbatohen në 6-mujorin e parë të 2018-s. Guvernatori Sejko më herët ka shpjeguar se masat janë graduale dhe nuk synojnë të eliminojnë përdorimin e euros në ekonomi, pasi bizneset dhe individët do të kenë liri në zgjedhjen e përdorimit të monedhës europiane.
“Ne nuk synojmë të shmangim euron dhe nuk i kemi shpallur luftë euros. Ne si Bankë Qendrore vlerësuam të marrim këto masa graduale në drejtim të përdorimit të monedhës vendase, duke qenë se studimet treguan se niveli i euroizimit ishte mbi 50 për qind, pra, një nivel i lartë, kjo kufizon influencën e politikës monetare dhe përfaqëson një risk për stabilitetin financiar, të cilin ne duhet ta shmangim”, është shprehur Guvernatori Sejko.


