Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të interpretojë kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë luftimi kundër COVID-19.
Gjatë një konference për media, Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën me vendimet që ka marrë.
“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështje së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me një letër me kërkesën që të rishqyrtojë këtë vendim për lëvizje të kufizuar të qytetarëve deri në interpretimin e kërkesës që presidentit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi i mbrëmshëm i qeverisë ka provokuar rrethana të reja të paqartësisë dhe frikës. Jemi dëshmitar të gjithë që sot njerëzit të krijuar nga ky konfuzion të dalin dhe të furnizohen vetëm në mëngjes duke shkaktuar tollovi në kundërshtim me rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike”, tha Thaçi.


