Më shumë se 1.100 doza anti-Covid të Pfizer janë shkatërruar në Florida, pasi një punëtor shëndetësor fiku aksidentalisht njërin prej frigoriferëve.
Punonjësit e tjerë zbuluan gabimin të premten e kaluar gjatë kryerjes së një ‘kontrolli të sigurimit të cilësisë’ para se të administroheshin vaksinat.
Vaksina Pfizer duhet të ruhet në një temperaturë prej -70 gradë në mënyrë që të ruhen disa nga përbërësit e saj, por ato mund të transferohen në një frigorifer të rregullt pesë ditë para se të administrohen. Nëse lihen më gjatë, ose ekspozohen ndaj temperaturave më të ngrohta, ato do të degradojnë dhe do të bëhen joefektive.
Mbetet e paqartë se si punëtori arriti të fikte furnizimin me energji elektrike në frigorifer, i cili ndodhej brenda një automjeti të lëvizshëm.
Në dritën e incidentit, zyrtarët kanë zbatuar ‘masa shtesë mbrojtëse’ dhe tani do të ‘centralizojnë të gjitha furnizimet e vaksinave në një vend të sigurt me rezervë gjeneratori 24/7’.
Gabimi vjen ndërsa CEO i Pfizer, Albert Bourla, zbuloi të premten se kompania e tij po përpiqet të përshpejtojë zhvillimin e vaksinave të ardhshme në nën 100 ditë, duke paralajmëruar se ekziston një ‘mundësi e madhe’ që vaksinat aktuale të mos jenë efektive përgjithmonë.
Vaksinat COVID-19 janë zhvilluar me shpejtësi rekord, për shkak të përparimeve teknologjike, fondeve masive dhe gatishmërisë së publikut për të marrë pjesë në prova.
Sidoqoftë, ka pasur vonesa për përhapjen e vaksinave në pjesën më të madhe të vendeve.


