Qeveria shqiptare me ndryshimet e fundit të bëra në buxhet i ka akorduar Ministrisë së Shëndetësisë një shumë shtesë prej 10 milionë dollarë, e cila do të shërbejë për të blerë vaksinat kineze Sinovac nga kompania turke “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”. Vendimi është zbardhur në Fletoren Zyrtare duke hyrë në fuqi.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama erdhi nga Stambolli me 192 mijë doza të vaksinës kineze, ndërsa zbuloi se marrëveshja është bërë për 1 milionë doza të vaksinës kineze, por kontrata fillestare me kompaninë është bërë fillimisht për 500 mijë doza që pritet të vijnë brenda dy muajve.
“Ne kemi të kontraktuara 500 mijë vaksina ‘Sinovac’ dhe kemi siguruar 1 milion e ca doza. Kemi preferuar të bëjmë një kontratë fillimisht me 500 mijë doza, për të parë më tutje të gjitha dinamikat, sepse është një proces shumë dinamik dhe këtu kemi ecur në mënyrë strategjike për të ruajtur një ekuilibër të plotë dhe me planin dhe me nevojat në raport me kategoritë dhe me numrin e përgjithshëm, por dhe me ecurinë e tregut”, tha Rama.
Në vendimin e qeverisë botuar në fletoren zyrtare nuk është e specifikuar se për sa doza vaksinash kineze bëhet fjalë kjo pagesë. Dje kryeministri Rama tha se në kontratën fillestare është bërë fillimisht për 500 mijë doza dhe në rast se pagesa është vetëm për këto doza vlera e një vaksine kineze të prodhuar nga ‘Sinovac’ është 20 dollarë. Ndërsa në rast se pagesa është për 1 milionë doza, atëherë vlera e vaksinës kineze llogaritet në 10 dollarë.
Vaksina kineze po përdoret gjerësisht në Kinë edhe në disa vende të Europës, ndërsa agjencia europiane e barnave po kryen studime për të miratuar përdorimin e vaksinës ruse Sputnik V. Ndërkohë që më herët, Shqipëria ka siguruar rreth 90 mijë vaksina Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V. Nga java e ardhshme do të fillojë vaksinimi masiv për të moshuarit.
Procesi i vaksinimit anti-COVID vijon që prej 11 janarit, në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së djeshme janë kryer 2,302 vaksinime anti-COVID dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 53,992 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.



