Andre Bergmann, një mjek 48-vjeçar me koronavirus, zgjodhi klinikën e mushkërive “Bethanien”, në Moers, afër shtëpisë së tij në Gjermaninë veriperëndimore. Klinika njihet për gatishmërinë e saj për t’i vendosur pacientët me vështirësi në frymëmarrje në ventilatorët mekanikë – tipi që me tubat që shkojnë thellë në grykë.
Babai i dy fëmijëve shqetësohej se një ventilator invaziv do të ishte i dëmshëm. Por shumë shpejt, për Bergmann, ventilatori u bë i pashmangshëm.
Megjithatë, mjekët nuk e lidhën kurrë me një pajisje që do të kryente frymëmarrjen për të. Një javë më vonë, ai e kishte marrë veten dhe ishte gati për t’u kthyer në shtëpi.
Rasti i Bergmann ilustron strategjinë e mjekëve për përdorimin e ventilatorëve mekanikë. Nëse fillimisht mjekët e mbushnin kujdesin intensiv me pacientë në intubim, tani shumë janë duke eksploruar mundësi të tjera.
Makineritë që i ndihmojnë njerëzit të marrin frymë janë bërë arma kryesore për mjekët që luftojnë COVID-19, epidemia që deri më tani ka vrarë më shumë se 183 000 njerëz. Pak javë asi u shfaq sëmundja, qeveritë në mbarë botën u përpoqën të krijojnë ose të blejnë ventilatorë pasi shumica e spitaleve nuk kishin mjaftueshëm.
Gjermania ka porositur 10 000 të tillë. Administrata e Presidentit Donald Trump po shpenzon 2.9 miliardë dollarë për afro 190 000 ventilatorë. Qeveria amerikane ka kontraktuar me prodhues automjetesh të tilla si General Motors Co dhe Ford Motor Co si dhe prodhuesit e pajisjeve mjekësore, dhe dorëzimi i plotë pritet deri në fund të vitit. Trump deklaroi këtë javë që ShBA tani ishte “mbreti i ventilatorëve”.
Sidoqoftë, ndërsa mjekët e njohin gjithnjë e më mirë virusin dhe atë që i shkakton trupit, shumë thonë që janë bërë më të kursyer me pajisjet e frymëmarrjes.
Reuters intervistoi 30 mjekë dhe profesionistë mjekësorë në vende përfshirë Kinë, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë përvojë në trajtimin e pacientëve me COVID-19. Pothuajse të gjithë ranë dakord që ventilatorët janë me rëndësi jetike dhe kanë ndihmuar në shpëtimin e jetës. Në të njëjtën kohë, shumë vunë në dukje rreziqet nga përdorimi i llojeve më invazive – ventilatorët mekanikë – shumë herët ose shumë shpesh, ose nga jo-specialistë që i përdorin ato pa trajnime të duhura në spitalet e mbingarkuara.


