Frikërat se epidemia e koronavirusit mund të shndërrohet në një pandemi, po rriten pasi shumë raste të reja po raportohen nga e gjithë bota.
Paul Hunter, një profesor epidemiolog në Universitetin e Anglisë Lindore në Mbretërinë e Bashkuar, i ka bërë jehonë frikës së tij, duke thënë se rsatet e shumta të konstatuar të infektuar jashtë Kinës janë “jashtëzakonisht shqetësuese” sidomos pas zhvillimeve të 24 orëve të fundit në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali.
Më herët shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus kishte paralajmëruar se dritarja e mundësive për t’u përballur me sukses me koronavirusin e Wuhan ishte “duke u zvogëluar”.
Ndërkohë bilanci në Korenë e Jugut vazhdon të përkeqësohet dhe që nga dje autoritetet kanë ndezur alarmin në ngjyren e kuqe, maksimumi i pritshëm. 161 rastet e reja të zbuluara sot e kanë rritur numrin e të infektuarve në 763 kurse i viktimave ka shkuar në shtatë.
Shumica e rasteve të reja janë ende të lidhura me Kishën e sektit pseudokristian të Jezusit në qytetin Daegu në juglindje të vendit. Autoritetet po testojnë sistematikisht mijëra besnikë me qëllim identifikimin dhe izolimin e të infektuarve.
Situatë të vështirë po kalon Irani, i cili me 8 vdekjet e ditës së djeshme renditet pas kinës me numrin me të madh të atyre që kanë humbur jetën.