Në Itali, shpresohej që kurba e infeksioneve do niste zbritjen në grafikun e epidemisë. Por pas të dhënave të ditës së djeshme mbi numrin e të infektuarve, Komiteti Shkencor pranë qeverisë Conte ka hartuar rregulla të reja dhe radikale për tju përgjigjur epidemisë së koronavirusit.
Rregullat e reja tani vlejnë për të gjithë dhe jo vetëm për qytetarët e rajoneve të prekura nga infeksioni.
Nga sot eventet sportive do të zhvillohen me dyer të mbyllura, distanca e sigurisë mes njerëzve duhet të jetë të paktën 1 metër, të eleminohen kontaktet fizike gjatë përshëndetjeve si takimi i duarve, puthjet dhe përqafimet kurse të moshuarit mbi 65 vjeç duhet të reduktojnë në maksimum daljen në rrugë.
Për autoritetet “Kjo nuk do të thotë se të moshuarit do të duhet të barrikadojnë veten në shtëpi, por do të jetë më mirë të shmangin udhëtimet, vendet e populluara si dhe udhëtimet me autobus ose metro”.
Këto rekomandime ndërkohë po shpërndahen në të gjithë vendin nga autoritetet e shëndetësisë. Të gjitha rekomandimet janë të vlefshme për të paktën 30 ditë, nuk janë të detyrueshme por shkencëtarët dhe qeveria shpresojnë se do të vihen në praktikë nga italianët.
Drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Istitutit të Shëndetit, Giovanni Rezza tha se tani është bërë e domosdoshme që njerëzit të ndryshojnë sjelljen dhe të bëhen më pak social, të moshuarit mbi 65 vjeç të reduktojnë në maksimum kontaktet dhe ekspozimin në rrugë pasi sipas të dhënave nga rajoni i Lombardisë, 53 përqind e të gjithë të infektuarve janë të kësaj grupmoshe.
Rezza ka hipotezuar edhe mundësinë e shtrirjes së zonave së kuqe në disa bashki dhe zona të tjera të vendit, duke përjashtuar Milanon.
Ai tha se ‘Ekziston nevoja për të ruajtur masat e marra deri më tani dhe ka të ngjarë të ketë nevojë për zgjerimin e zonave të kuqe bazuar në incidencën e koronavirusit.
Dekreti i ri qeveritar
Dekreti i ri qeveritar që parashikohet të hyjnë në veprim javën e ardhshme parashikon rritjen në 4 miliardë euro të financave të akorduara në përgjigje të emergjencës së epidemisë.
Ambicia e qeverisë është ti jap shtysë rritjes ekonomike dhe të shmang ‘mbytjen’ e saj për shkak të përhapjes së virusit.
Sidoqoftë, Kryeministri Conte e di se duhet të bëhet më shumë, se kundërshtimet, por edhe zëra të rëndësishëm të mazhorancës, kërkojnë një ndërhyrje edhe më radikale.
Por Kryeministri po përpiqet të marrë dritën jeshile nga Brukseli së pari për këtë rritje pasi ajo do të ndikojë në rritjen e deficitit nga 2.2 në 2.4%.
Fotografia e dekretit do të jetë më e qartë ne ditët në vazhdim, por dihet tashmë që masat e destinuara për të gjithë territorin kombëtar kanë të bëjnë me tre fusha të ndërhyrjes: Siguria sociale, shëndetësi dhe mbrojtje civile dhe sektori prodhues.


