Vazhdojnë ditët e pandemisë, ditët kur numri i vdekjeve është ende i lartë, kur shoqëritë perëndimore, simbole të lirisë kanë mbyllur disa prej lirive të tregut të lirë, kanë mbyllur shkollat dhe kanë limituar lëvizjet e njerëzve, siç po ndodh në Itali, Spanjë dhe Francë.
Shtetet po bien si mizat në të gjitha gjerësitë dhe gjatësitë gjeografike dhe po shpallin gjendje të jashtëzakonshme si në Zvicër, Kazakistan, Armeni. Kufijtë janë mbyllur në Tunizi, Kili dhe Kolumbi. Kanadaja është mbyllur për të gjithë, përveç shtetasve amerikanë.
Prej tre ditësh është e pamundur të kalosh kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian dhe kufijtë po shumohen madje edhe brenda kontinentit të vjetër, ku janë mbyllur Austria, Hungaria, Gjermania dhe Spanja.
Ndërsa qeveria italiane përmes dekretit ‘Kurohet Italia’ ka hapur zjarr” ndaj epidemisë së koronavirusit dhe në mbështetje të ekonomisë, biznesit, punës dhe familjeve të prekura edhe ato nga pasojat e infeksionit, numri i viktimave vazhdon të rritet si dhe numri i të shëruarve, kurse numri i të testuarve pozitiv ka tendencë stacionare.
Guvernatori i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana ka deklaruar se ditët kur me mirësjellje iu drejtuam njerëzve apelin për të qendruar në shtëpi kanë mbaruar dhe se tani e tutje autoritetet e ligjit do të tregohen më agresivë, duke mos përjashtuar bllokimin total të lëvizjeve.
Ministri i Sportit Vincenzo Spadafora deklaroi se ‘nëse thirrja për të qëndruar në shtëpi nuk dëgjohet, qeveria do jetë e detyruar të bëjë ndalim edhe të aktiviteteve në natyrë. Sanksione të forta financiare, deri dhe pezullim aktiviteti janë ushtruar gjithashtu ndaj binneseve që janë gjetur në shkelje të ligjit të emergjencës shëndetësore.
Pas shumë vitesh shkurtime në shpenzimet e kujdesit shëndetësor, emergjenca e koronavirusit po i detyron qeveritë në të gjithë Europën të bëjnë kthesa të mprehta.
Në Itali, për shembull, pas dhjetë vitesh shtrëngimi financiar në sektorin e shëndetësisë gjatë të cilave janë shkurtuar 25 mijë shtretër spitalorë, qeveria Conte tani po planifikon të rrisë numrin e shtretërve të kujdesit intensiv në më shumë se 6000 në një muaj të vetëm, ose 20 përqind më shumë, krahasuar me fillimin e krizës.
Në Francë, ku Presidenti Macron foli për “një vend në luftë” kundër përhapjes së epidemisë nga koronavirusi, nga njësi të specializuara të ushtrisë po përgatiten shtretër të rinj të pajisur për terapi respiratore.
Në Spanjë, ka 4627 njësi të kujdesit intensiv, 260 prej të cilave janë të okupuar nga pacientë me koronavirus. Në Madrid fotografia më e vështirë: 680 shtretër dhe 180 pacientë të infektuar me koronavirus. Me këta numra, sipas ekspertëve, sistemi shëndetësorë pritet të shembet. Për këtë arsye, qeveria rajonale ka shpallur një program për të sjellë të paktën 1000 shtretër për terapi respiratore.
Paterica financiare është e madhe në SHBA pasi edhe goditja që ka nisur të japë në ekonomi koronavirusi është e fortë. Administrata e presidentit Donald Trump ka armatosur bazukën e saj fiskale dhe ka planifikuar 1.2 trilion dollarë për të mbështetur ekonominë, bizneset dhe profesionistët.
Në Britaninë e Madhe kryeministri Boris Johnson ka premtuar injektimin në ekonomi dhe në mbeshtetje të familjeve të rreth 330 miliardë paund.


