Policia e Shtetit u ka vendosur një sërë gjobash gjatë 12 orëve të fundit, personave që kanë shkelur karantinën.
Policia njofton se 78 persona janë ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë të vjetra. Po për të njëjtën shkelje, thyerje të karantinës, në Elbasan policia ka arrestuar një 23-vjeçar.
Gjithashtu janë ndëshkuar me heqjen e patentës për 3 vjet katër drejtues automjetesh që kishin dalë në rrugë pa autorizim, si dhe janë gjobitur dy administratorë subjektesh tregtare.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet nga strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë territorin, për zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Në këtë kuadër, në të gjithë vendin, gjatë 12 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë secili, 78 persona që thyen rregullin për të qëndruar në banesë deri në orën 05:00 të datës 23.03.2020.
Në Elbasan, një 24-vjeçar u arrestua në flagrancë, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, të cilët i kërkuan arsyen e daljes në rrugë.
Nga Policia Rrugore janë evidentuar dhe ndëshkuar me tërheqje të lejes së drejtimit për 3 vjet, 4 drejtues automjetesh.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar edhe 2 administratorë subjektesh tregtare, pasi në kundërshtim me orarin kufizues, kanë hapur subjektet e tyre ditën e sotme.
Policia e Shetit apelon edhe njëherë për të gjithë qyetarët që të respektojnë me rigorozitet masat e vendosura, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.


