Rreth 400 milionë euro me pak mund të ketë buxheti i Kosovës këtë vit, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19.
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e virusit, e në këtë kuadër shumë biznese private janë detyruar të ndërprejnë veprimtarinë e tyre.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë rreth 180 milionë euro për të ndihmuar bizneset në nevojë, kurse rreth 200 milionë euro të tjera pritet t’i hiqen buxhetit, për shkak të shtyrjes së detyrimeve tatimore. Edhe shtyrja e këtyre detyrimeve është vendosur në kuadër të pakos për të ndihmuar ekonominë e vendit.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2,3 miliardë euro.
Ku do t’i marrë qeveria rreth 180 milionë euro?
Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mjetet financiare do të sigurohen nga kursimet e buxhetit, grantet dhe kreditë ndërkombëtare.
“Të gjitha investimet kapitale, që janë paraparë me buxhetin e këtij viti do ndërpriten,” thotë Krasniqi, duke shtuar se aty ku mund të ketë nisur puna në këtë drejtim, do të vendoset masa e pezullimit në ekzekutim, për të mundësuar tërheqjen e mjeteve financiare”.
“Rreth 100 milionë euro, vlerësohen se mund të kursehen në buxhetin aktual. Një fond tjetër në ministri, mbi 25 milionë euro janë për emergjenca, edhe ato do kursehen. Pjesa tjetër do të vijë nga financimet e ofruara nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore, në formë grantesh, subvencionesh dhe kredish. Aktualisht, jemi duke diskutuar edhe mundësinë që një pjesë të realizohet edhe nga letrat me vlerë, diku rreth 50 milionë euro”, thotë Krasniqi.
Letrat me Vlerë ose Bono të Thesarit lëshohen nga Ministria e Financave sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me Vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale.