Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, biseduan përmes telefonit për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Në një komunikatë të publikuar të shtunën nga BE-ja thuhet se Borrell dhe Pompeo janë pajtuar që ndihma mjekësore për vendet më të rrezikuara duhet të rritet me shpejtësi.
“BE-ja dhe SHBA-ja kanë kapacitet për të kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar pandeminë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Gjatë bisedës me Pompeon, Borrell po ashtu theksoi nevojën e ofrimit të informacioneve të sakta dhe transparente për qytetarët, në kohën kur janë duke u rritur shqetësimet dhe duke qarkulluar lajme të rreme për koronavirusin.
Përmes një postimi në Twitter, Pmopeo tha se ka biseduar me Borrellin dhe se marrëdhëniet transatlantike kanë rëndësi të madhe për shëndetin publik global dhe për avancimin e interesave të përbashkëta në Libi, Siri, Venezuelë dhe në Ballkanin Perëndimor”.
Të premten është bërë e ditur se Departamenti amerikan i Shtetit ka ndarë afro 274 milionë dollarë fonde humanitare për të ndihmuar vendet e rrezikuara në luftën kundër koronavirusit. Kosovës i janë ndarë 1.1 milion euro.


