Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës është institucioni kompetent në rastet si ky i koronavirusit COVID-19, për të balancuar interesin publik dhe privatësinë e pacientit, thuhet në një komunikatë të nxjerrë nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë PRAK.
Pas dilemave të ngritura nga institucionet se a duhet të zbulohet privatësia e pacientëve të prekur me COVID19, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë PRAK konsideron se në situata jo të zakonshme si koronavirusi i ri, ndryshojnë shumë rregulla duke përfshirë edhe privatësinë e pacientëve.
PRAK konstaton se zbulimi i informacioneve për pacientë të caktuar, qofshin ato të dhëna personale, shëndetësore, terapeutike etj., duhet të bëhet në mënyrë institucionale, jo në mënyrë individuale.
Në rastet kur një pacient i infektuar ka pasur kontakt me shumë persona të cilët nuk mund të izolohen, IKSHPK ka kompetencë të japë të dhëna të pacientit si emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, por edhe ndonjë fotografi të pacientit, në mënyrë që pacientët potencialisht të prekur të vetizolohen, më këshillën që ta kontaktojnë IKSHPK për t’u testuar.
“Kur të publikohen të dhëna të tilla, IKSHPK duhet të arsyetojë publikimin e tyre në mënyrë që pacienti të mos stigmatizohet. Në raste të publikimit të të dhënave të pacientit, meqë ende nuk kemi fluks të pakontrollueshëm të rasteve, IKSHPK fillimisht duhet të kërkojë miratim për publikim nga ana e pacientëve, madje është mirë të inkurajohen që ata vetë ta bëjnë publik rastin dhe pastaj të dhënat të dalin në publik”, thuhet në komunikatë.
PRAK kërkon që asnjëherë të mos zbulohen më shumë të dhëna se sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik, teksa përkrah idenë që pacientët e shëruar të publikohen, pasi kjo ndikon pozitivisht në shëndetin mendor të qytetarëve.