565 fluturime charter ambulancë janë larguar nga Rinasi deri në 18 nëntor. Të dhënat u publikuan dje nga agjencia e lajmeve Birn ku këto udhëtime konsiderohën “fluturime për qëllime mjekësore”.
Siç evidenton agjencia Birn, shumica e tyre kanë destinacion Turqinë, por ka edhe të tjera drejt Italisë.
Të dhënat e AAC tregojnë se numri i fluturimeve u rrit nga 5 në muajin maj, kur epidemia COVID-19 ishte ende nën kontroll, në 152 fluturime gjatë muajit tetor. Muaji nëntor shënoi një rekord të ri me 206 fluturime për qëllime mjekësore deri me datë 18.
Nga të dhënat e mbledhura nga dy kompani që ofronin shërbimin e avionit ambulancë, pacientët shqiptarë kanë shpenzuar rreth 6.7 milionë euro vetëm për fluturimet jashtë shtetit. Shpenzimet minimale për ditët e qëndrimit të tyre në spitalet e Turqisë llogariten të kenë kushtuar edhe rreth 12 milionë euro të tjera, shkruan Birn.
BIRN mësoi se çmimi mesatar për një fluturim me charter kushton 12 mijë euro, ndërsa një natë qëndrimi në spitalet e Turqisë kushton mesatarisht 1200 euro. Pacientët e COVID-19 shpenzojnë minimalisht 15 ditë qëndrimi në spital.


