Në fillim të viteve ‘90 në Tiranë u shfaqën “të fortët” e parë, që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me grupet e krimit të organizuar që filluan të vepronin në vitet në vazhdim. Por organizimi i tyre nuk zgjati shumë dhe filluan të ndaheshin në zona, më pas të vrisnin njëri-tjetrin.
Në zonën e “Trenit të vjetër” dhe të “Restorant Durrësit” drejtonte Naim Zyberi dhe miqtë e tij, Franc Konomi e Fatos Keta.
Domart Konjari, Dëfrim Kasmi dhe Franc Konomi kanë qenë miq të ngushtë me njëri-tjetrin dhe trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut drejt Spanjës dhe Francës. Më pas miqësia mes tyre u prish për shkak të një konflikti dhe shkak për këtë ishte Franc Konomi. Ky i fundit u vra në një atentat mafioz në vitin 2010.
Kur dukej se e gjithë kjo histori kishte përfunduar këtu, mbrëmjen e 29 janarit të vitit 2018, vritet Devi Kasmi, njeriu që mendohet se kishte gisht në vrasjen e Konomit.
Vrasja dyshohet se është kryer pikërisht nga Domart Konjari, që pas lirimit dy vite më parë, mendohet se ka përgatitur planin për ekzekutimin e njeriut që thuhet se kishte gisht në vrasjen e mikut të tij të ngushtë, Franc Konomit.

Pasi u zunë, dhe i ndanë “rrugët e pazareve”, Domart Konjari mesohet se “operonte” në Francë ku dhe i rëndonin akuza të renda nga ambasada franceze.
Në Francë, Konjari është i njohur si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar trafiku kokaine, aktiv në më shumë se gjashtë vende, rrjet ku janë të përfshirë dyzetë e pesë persona nga pesë vende të ndryshme, mes të cilëve edhe francezë.

Ndërsa, Dëfrim Kasmi “operonte”në Spanjë. Ky i fundit duket se nuk e ka mbajtur kot pseudonimin “Fantazma”, pasi është totalisht i paekspozuar dhe duket se ka ruajtur një profil të ulët.
Meqënese mendohej se grupi i Dëfrim Kasmit ishte prapa ekzekutimit të Franc Konomit, për të marrë hak, grupi i Domart Konjarit gjeti vendndodhjen në Spanjë ku po qëndronte Dëfrim (Devi) Kasmi. Domart Konjari së bashku me një shokun e tij të paidentifikuar tentuan ta vrisnin.
Dy palët u përleshën me njëri-tjetrin dhe Dëfrim Kasmi mundi t’iu merrte pistoletën Konjarit. Këtë të fundit e la të plagosur, ndërsa mikun e tij e vrau. Që prej ateherë, ka pasur vazhdimisht hasmëri mes Domart Konjarit dhe Devi Kasmit.
Gjë e cila u pasqyrua edhe dje, ku sipas policisë, Domart Konjari, i ndodhur në arrati, mundi të ekzekutonte Dëfrim Kasmin. Mbetet fakt se nëse vërtet e ka vrarë Konjari, e ka bërë në të njëjten menyrë që Dëfrim Kasmi mendohet të ketë vrarë Franc Konomin.
E nuk është çudi pasi armiqësia e të dyve lindi pikerisht nga kjo vrasje… Dhe nga pazaret e drogës…ndoshta!
Përgatiti: AlpeNews.al



