Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, njëherazi dhe Kryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore në Kuvend, gjatë panelit “Reforma Zgjedhore dhe Vota e Emigrantë” u shpreh se një nga shtyllat kryesore të reformës është rritja e transparencës së financimeve.
Sipas Gjylametit, synimi është përmirësimi rregullave të fushatës elektorale, duke nisur nga financimet.
“Në kuadër të Reformës Zgjedhore për të pasur një proces sa më transparent në lidhje me financimin përgjatë fushatës zgjedhore, parashikohet që personat fizik apo juridik nuk mund të përfitojnë deri në periudhën tre vjeçare kontrata publike, apo Partneritete Publike Private, apo fonde që kalojnë shumën 10 milionë lekë, apo të jenë nënkontraktues të koncesione publike”, tha Gjylameti.
“Po ashtu është ulur pragu nga 100 mijë lekë në 30 mijë lekë për financimet që mund të pranohen, teksa do të ketë rregulla dhe për realizimin e reklamave apo videove, ku do lejohen vetëm mesazh promocionale që lidhen me nxitjen për marrjen pjesë në zgjedhjen dhe si duhet votuar”, tha Gjylameti.
Sipas saj, Partitë politike dhe KQZ, si administratore e zgjedhjeve, duhet të kenë një angazhim të rëndësishëm në këtë drejtim. “Duhet të ngrihet një data-bazë ku do pasqyrohen shpenzimet e partive gjatë fushatave zgjedhore dhe ky sistem duhet të ketë një pasqyrë të qartë të shpenzimeve financiare të partive apo vetë kandidatëve”, shtoi Gjylameti.