Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Vlorës pasditen e kësaj të premteje. Në lagjen “10 Korriku”, sipas bluve të Vlorës, në konflikt janë përfshirë dy persona tashmë të identifikuar nga policia lokale. Nga dyshimet paraprake, Juxhin Todi alias Aliaj, i shoqëruar nga e dashura e tij, ka dalë nga banesa teksa në hyrje të pallatit një person i identifikuar tashmë si Lisjan Myrtaj ( efektiv i forcave DELTA) ka shtënë në drejtim të të rinjve.
Dy të rinjt kanë tentuar të largohen me automjetin tip Mercedes Benz ML AA858 FY. Sipas informacioneve të policisë, mjeti ka shenja plumbash në pjesën e pasme dhe një tjetër në xhamin e parë, në anën e pasagjerit.
Nga vendngjarja janë larguar të dy personat e përshirë në ngjarje, ndërsa policia ka shoqëruar për në banesë vajzën që shoqëronte Juxhin Aliaj. Pas ndjekjes policore, blutë e Vlorës kanë shoqëruar Lisjan Myrtaj, i cili pretendoi se ka shtënë për vetëmbrojtje. Deri më tani në vendngjarje janë gjetur gëzhoja vetëm nga arma e përdorur nga Myrtaj. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe dinamikën e saj.
Policia po heton pistat e një konflikti personal mes autorit dhe shënjestër. Autori sipas policisë, Lisjan Myrtaj, efektiv i forcave Delta ka pasur një debat me 24-vjeçarin Todi. Sipas dëshmitarëve ka pasur replika mes autorit dhe objektivit, debate dhe fyerje, para se të nxirreshin armët. Më pas të dy janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia po kryen hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.