Ish-deputeti Mark Frroku dhe 7 persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Durrësit pas konfliktit të një dite më parë në Kepin e Rodonit në Durrës për çështje pronësie. Sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës ka nisur për pronën, ndërsa më pas ka agravuar deri në dhunë fizike. Të 8 personat u shoqëruan një ditë më parë, ndërsa burime të Report Tv konfirmuan sot se janë arrestuar. Mark Frroku ishte në mesin e përfaqësuesve të Kishës Katolike. Përveç Frrokut, të arrestuar janë edhe B. K., E. R., Y. R., O. R., N. S., M. L. dhe P. D.
Përfaqësuesit e Kishës Katolike kanë qenë duke rrethuar pronën për të cilën kanë certifikatë pronësie dhe këtu ka nisur sherri, ndërsa një ditë më parë u raportua edhe për të shtëna me armë. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Në reagimin e djeshëm, Policia nuk e saktëson se kush ka qëlluar me armë në reagimin e saj, por burime të Report Tv bënë me dije se në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë duke kryer një investim në zonë për turizëm dhe duan të ndërtojnë një mol. Ndërkohë projekti zhvillimor kalon në tokën për të cilën u bë sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës dhe kjo ka çuar në përplasje të ashpër. Personat që duan të ndërtojnë molin janë përfshirë në sherr në mbrojtje të rojës duke qëlluar me armë zjarri në ajër.


