Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me shifra akuzave të opozitës, e cila e ka konsideruar qeverinë e tij si qeveri të oligarkëve.
“Dy fjalë për të mëdhenjtë, sepse propaganda dhe tam tamet e përditshme kanë synuar ta pikturojnë qeverinë tonë si qeveri e oligarkëve. Tam tamet kanë arritur të përcojnë një mesazh të gënjeshtërt ndërsa faktet flasin ndryshe.
Kompanitë që paguajnë mbi 8 mln lekë në vit, janë rritur dhe pesha që zë fitimi i përbashkët me kompanitë e tjera, rezulton se është në rënie me 30 % të fitimeve në krahasim me 2013 dhe 20% në krahasim me 2017.
Do të thotë se po të shkojmë të 100 kompanitë më të mëdha kundrejt fitimit të gjithë kompanive së bashku janë në rënie. Ju takon ju t’i konfirmoni nëse këto që po them janë reale apo me injeksion politik. 100 më të mëdhenjtë paguajnë sot më shumë taksa se 5 vite më parë, ndërsa fitimi i tyre është më i ulët se 5 vite më parë.


