Kriza në Shkodër, pas vendimit të kryebashkiakut të zgjedhur Valdrin Pjetrit për të mos marrë mandatin, zgjidhet nga mazhoranca përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke anashkaluar presidentin Meta, i cili këtë të premte deklaroi në media se nuk do dekretojë datë zgjedhjesh tjetër për Shkodrën, veç asaj të 13 tetorit.
Neni 161 i Kodit Zgjedhor parashikon se çfarë ndodhë kur kemi ripërsëritje të zgjedhjeve, teksa në pikën 6 saktësohet se KQZ është institucioni që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e re jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit.
“Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, shkruhet në pikën 6 të nenit 161 të Kodit Zgjedhor.
Nga ana tjetër presidenti vijon të këmbëngulë se zgjedhjet në Shkodër do bëhen në 13 tetor, ndërkohë është shprehur se në krye të bashkisë Shkodrës të qëndrojë kryebashkiakja Voltana Ademi. Megjithatë, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar qartë edhe rastet e mbarimit përpara kohë të mandatit të kryetarit Bashkisë. Në nenin 61 ku pika 5 e tij saktëson se deri në zgjedhjen e kryetarit të ri vendin e tij e zë zv kryetari i bashkisë. Në rast se në bashki ka më shumë se 2 zv.kryetarë, këshilli bashkiak e vendosë me vota se kush do marrë drejtimin e përkohshëm të Bashkisë.
“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, shkruhet ne pikën 5 të nenit 61.
Të hënën në Shkodër do bëhet konstituimi i këshillit bashkiak, teksa PD ka bërë thirrje për protestë.