Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se institucionet shtetërore kanë shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë gjatë procedurave të pranimit të maturantëve në universitete për vitin e kaluar akademik 2016-2017. Duke pasur parasysh këtë fakt, si dhe dyshimin se edhe këtë vit do të aplikohej e njëjta skemë, KLSH i ka kërkuar që në gusht Ministrisë së Arsimit që të shfuqizojë Udhëzimin nr. 15, dt. 19.05.2017 “Për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit për vitin akademik 2017-2018”. Megjithatë, siç duket kjo nuk është marrë parasysh nga MAS pasi regjistrimet e maturantëve kanë nisur prej kohësh pikërisht sipas këtij udhëzimi, madje vijojnë dhe për pak ditë pasi procesi ndodhet në etapat e fundit.
Modeli, jo në përputhje me ligjin
Angazhimi i KLSH në auditimin e performancës së institucioneve përgjegjëse për pranimin në Institucionet e Arsimit të Lartë të Maturës 2016 pati si shtysë problemet e konstatuara dhe të evidentuara mediatikisht në periudhën Shtator-Tetor të 2016. Duke qenë të vetëdijshëm se procesi i marrë nën auditim ishte i pari që realizohej në kushtet e Ligjit të ri të Arsimit të Lartë 80/2015 dhe si i tillë nuk përfaqëson një proces të maturuar, shtresëzuar e konsoliduar, ku të gjitha palët pjesëmarrëse të njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre e t’i zbatojnë ato me efektivitet, grupi auditues riskoi me auditimin e një veprimtarie të tillë, me synimin që të hidhte dritë mbi modelin që po prezantohej e implementohej për të ndërgjegjësuar të gjitha palët pjesëmarrëse në të dhe ndërmarrë veprimet korrektuese përpara se të ishte vonë. Sinjalet që modeli kishte të meta u morën fillimisht nga konteksti social i problemit, ku maturantët të cilët aplikuan për pranime në IAL për vitin akademik 2016-2017 e shprehën pakënaqësinë e tyre mediatikisht, përmes protestave të shpeshta në periudhën e pranimeve dhe përgjithësisht duke theksuar se Ligji i ri i Arsimit të Lartë deformonte meritë- preferencën e synuar. Në lidhje me pyetjen kryesore të këtij auditimi: A u implementua nga institucionet përgjegjëse, modeli i duhur për pranimin në IAL të maturantëve në vitin akademik 2016-2017?”, nga KLSH u arrit në këtë mesazh: Modeli i pranimit që u aplikua në vitin 2016 dhe po përpiqet të implementohet sërish, nuk është ai i duhuri, si në konceptim, ashtu edhe në aplikim. Ky model nuk është në përputhje me frymën e Ligjit 80/2015 dhe as me praktikat e mira të vendeve perëndimore prej nga ky ligj është përshtatur. “MAS dhe QSHA duhet të angazhohen aktivisht në procesin e aplikimit, duke e nisur më herët atë në kohë, asistuar aplikantët dhe IAL-të në kërkesat e tyre për mbarëvajtjen e duhur të procesit kundrejt tarifave të arsyeshme dhe kryerjen e procesit të regjistrimit të fituesve pa interferuar me procesin e pranimit, por në fund të tij, mbështetur në listat përfundimtare të dërguara nga IAL-të. IAL-të duhet ta konceptojnë, dizenjojnë dhe implementojnë vetë procesin e pranimit, në përputhje me Ligjin dhe praktikat e mira. Kriteret e tyre e të pranimit duhet të reflektojnë një politikë afatgjatë të tyren, që t’i mundësojë aplikantëve profilizimin potencial në arsimin e mesëm, sikurse nuk duhet të kufizohen vetëm në përllogaritjen e mesatareve, por mund të përfshijnë edhe aspekte të tjera të vlerësimit të kandidatëve, sidomos për programet e preferuara të studimit”, rekomandon KLSH.
Shkeljet e MAS
KLSH vlerëson në raportin e tij se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shkelur Ligjin 80/2015 duke nxjerrë një udhëzim në kundërshtim me ligjin, sepse përmbajtja e këtij udhëzimi bie ndesh me nenin 25, pika 8 të Ligjit 80/2015; Duke mos nxjerrë në kohë aktet nënligjore për QSHA-në, që do të koordinonte procesin e aplikimit, sikurse parashihet në nenin 141 të Ligjit 80/2015; Duke penguar parimisht aplikantët ekselentë fitues të regjistroheshin në 2 programe studimi njëkohësisht, sikurse parasheh neni 85, pika 1 e Ligjit 80/2015; Duke penguar aplikantët fitues në 2 apo më shumë programe studimi të ç’regjistroheshin e më pas të regjistroheshin në programin e dëshiruar, në përputhje me nenin 54, pika 7 e Kushtetutës; Duke përfshirë në procesin e pranimit, subjekte të cilat nuk duhet të ishin përfshirë në bazë të Ligjit 80/2015, sikurse është rasti i AKP, apo që nuk parashikohen nga Ligji 80/2015, sikurse është rasti i RASH; Duke regjistruar në IAL-të jopublike persona që nuk kishin aplikuar në përputhje me Udhëzimin nr. 13, pas datës kufi të përcaktuar në Udhëzim dhe pasi kishte nisur viti i ri akademik 2016-2017.