Të dielën, Shqipëria u trondit nga vrasja e studentes Ariela Murati. Aldison Belulaj i kishte kërkuar dorën në shtëpi, i kishte propozuar një lidhje dhjetëra herë, gjithmonë duke marrë përgjigje negative. Në gjaknxehtësi ose jo, Belulaj vrau Arielën. “O e imja, o e askujt tjetër”, duket të ketë arsyetuar ai.
Shumë e quajtën krim pasioni. Të riut iu errën sytë nga refuzimi i vazhdueshëm dhe vrau 21-vjeçaren e më pas qëlloi veten. Ariela vdiq, ndërsa ai është ende në gjendje të rëndë për jetën. Më tepër se punë pasioni, është punë pronësie, punë pushteti e egoje. Belulaj ndihej i gjithëfuqishëm dhe djemtë si ai marrin çfarë duan gjithmonë, me ngulm a dhunë. Kur u has me “jo” të vazhdueshme, Belulaj s’pa asnjë zgjidhje tjetër përveç vdekjes. Për të, Ariela s’kishte të drejtë të zgjidhte, por vetëm të ishte e tija, në këtë jetë a tjetrën.
Përgatit: “Anabel”
As 24 orë para këtij krimi makabër, Renato Doko ishte i ftuar në “Zonë e Lirë” për të promovuar këngën e tij të fundit, “Fustani”. Për 40 mijë ndjekësit e tij në Instagram, Renato poston video komike të cilat marrin nga 18 mijë deri në 100 mijë shikime. Pa rrezik mund të themi se audienca është e gjerë. Kënga e fundit, në momentin e shkrimit të këtij artikulli, 119 mijë shikime dhe 55 komente tejet pozitive.
“Unë kam fiksim njërën dhe problemi është që kjo s’ma var mua. Që ta bëj për vete, i bëra një këngë,” tha Doko para se të niste kënga me tekstin më horror deri më sot. Fabula flet për një djalë dhe një vajzë. Vajza i thotë jo vazhdimisht dhe nuk i jep asnjë sinjal për të vazhduar më tej me lutjet dhe kërkesat për t’u lidhur bashkë. Pak a shumë si historia e Arielës dhe Aldisonit.
Pjesë nga teksti i këngës:
“Dje më tha po dhe sot më la tek dera. Ah ç’do t’i bëj. Ah ç’do t’i bëj. Po iu futa nga dritarja, do t’ia çaj atë gojë. […] T’i shkoj nga mbrapa, t’ia kap ato mollaqe, apo t’i shkoj nga para t’ia puth ato faqe. […]”
Njësoj si arsyetimi pas vrasjes së Arielës, edhe në këngën e Renato Dokos vajza nuk ka të drejtë të thotë jo. Është e paperceptueshme për ta. Ndoshta nëse përpiqen fort, prag përndjekjes, ajo do të dorëzohet dhe do të bëhet tyrja. Ndoshta po bën të vështirën. Fundja s’do të ishte hera e parë që një vajzë bën të vështirën.
Lajme flash! Një vajzë mund të mos dojë të lidhet me ju. Ky fenomen është aq i përhapur dhe aq shqetësues, sa dhjetëra vajza përmbytën inboxin e Anabel në Facebook me histori të ngjashme të Arielës. Jo vetëm Belulaj e Doko, po plot djem e burra nuk e kuptojnë ç’do të thotë jo dhe këngë si kjo që diskutuam, sa e nxit më tej kulturën toksike të “o e imja, o s’ka”.
Në kohën e Women’s March, MeToo dhe Time’s Up, televizionet shqiptare promovojnë një mesazh të tillë. Mesazh që i mori jetën një 21-vjeçareje të pafajshme.



