Më 8 dhjetor, ditën që përkon me të 40-at e Konstantinos Kacifas, disa qytetarë kanë kërkuar të mbjanë një tubim në Bularat të Gjirokastrës, për të ngritur zërin për të gjithë shqiptarët e vrarë në Greqi, ku vetëm së fundi në dy javë janë vrarë 4 shqiptarë.
Por sipas gazetarit investigativ Artan hoxha, autoritetet nuk kanë dhënë leje.
Hoxha sqaroi në “Repolitix” se është kërkuar nga disa qytetarë zhvillimi i një tubimi për shqiptarët e vrarë në Greqi dhe data e tubimit është zgjedhur 8 dhjetori.
Pikërisht dita kur në fshatin minoritar, Bularat, do mbahet një ceremoni nga minoritarët për Konstandin Kaçifën. Artan Hoxha thotë se tubimi është kërkuar të zhvillohet përpara konsullatës në qytetin e Gjirokastrës, por autoritetet nuk kanë dhënë leje.
“Ka edhe një iniciativë tjetër nga disa qytetarë të cilët janë mjaft të zhgënjyer nga qëndrimi që kanë mbajtur deri dje autoritetet shqiptare jo vetëm për Kacifën, por edhe për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Greqi, humbjen e jetës së 7 shtetasve shqiptarë në 2 javët e fundit. Është lajmëruar për në datën 8 dhjetor, ditën kur do mbahet një ceremoni përkujtimore për Kacifën. Në sheshin “Çerçiz Topulli” i cili ndodhet përpara konsullatës greke, është njoftuar një tubim i cili synon që të grumbullojë sa më shumë shqiptarë me simbole kombëtare. Edhe pse është kërkuar një leje për këtë tubim, për 48 orë me radhë policia e Gjirokastrës nuk ka miratuar grumbullimin për në datën 8. Nga kontakti që kam pasur sot me organizatorët, më kanë thënë se tubimi do zhvillohet sipas orarit dhe vendit të caktuar. Janë bërë ftesa në rrjetet sociale për një prani të madhe të shtunën e 8 dhjetorit në shesh në Gjirokastër”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.
Gazetari tha se ditën kur në Bularat është paralajmëruar mbajtja e një ceremonie në kujtim të Kaçifës, 8 dhjetor ora 11:00, agjencitë shqiptare ligjzbatuese dyshojnë se në territorin shqiptar mund të hyjnë ekstremistët e shpallur non grata. Drejt Gjirokastrës janë nisur forca të antiterrorit, tha ai. Forcat e sigurisë do të patrullojnë kufirin për të penguar futjen e elementëve të rrezikshëm dhe njëherazi të shpallur të padëshirueshëm që prej ceremonisë mortore të Konstandin Kaçifas.
“Forca të antiterrorit janë në vijën kufitare për të parandaluar dhe kontrolluar kufirin e gjelbër. Është përforcuar kordoni i kufirit të gjelbër në mënyrë që të prandalohet çdo tentativë për të penguar hyrjen në territorin shqiptar të simpatizantëve të Agimit të Artë. Nisur nga çfarë ndodhi herën e parë, kur u ça sistemi i sigurisë në vendin tonë, janë marrë masa që kjo gjë të mos përsëritet. Përveç 54 personave që u shpallën non grata ka edhe një numër të madh personash që kanë marrë pjesë në aktivitete antishqiptare brenda territorit dhe jashtë Shqipërisë. Prandaj, në këto kushte, do kemi një përqendrim të forcave policore në zonat e kufitare. Besoj se nuk do të shohim skenën që ndodhi gjatë ceremonisë mortore të Kaçifës”, tha Artan Hoxha, gazetar investigativ
Gjithashtu, gazetari Artan Hoxha zbuloi se po në Gjirokastër në datën 8 dhjetor, po përgatitet një tubim-protestë për shqiptarët e vrarë në Greqi, por autoritetet nuk kanë dhënë leje. Vetëm javët e fundit janë vrarë 4 shqiptarë.


