Kompanitë e sigurimit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil.
Kartoni jeshil është produkt sigurimi për dëmet që drejtuesit e mjeteve mund të shkaktojnë në lëvizjet e tyre jashtë territorit të Shqipërisë.
Në treg, shoqëritë e sigurimit e lëshojnë atë me një çmim fiks e të standardizuar, ndërsa TemA TV u interesua në pikat e shërbimit, duke marrë konfirmimin për çmimet që nuk pësojnë luhatje.
Pra, prakitikisht, shoqëritë e sigurimeve e kanë bërë marrëveshjen mes tyre, dhe e kanë paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës, për të kërkuar përjashtimin e saj nga ndalimi, në kuptimin ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Ndonëse përmbajtja e marrëveshjes nuk është bërë e ditur, pakti mes kompanive tregon edhe njëherë se tregu i produkteve të sigurimit vazhdon të koordinohet, për praktikat e çmimeve, të cilat në të gjitha rastet kanë goditur konsumatorin dhe kjo është pasqyruar në hetimet e kryera nga Autoriteti i Konkurrencës.
Ky i fundit madje nuk ka kursyer as gjobat, njëherë në vitin 2012 dhe më tej në 2014 për rritjen e çmimit të sigurimit TPL.
Por, duket se marrëveshja e 8 shoqërive të sigurimit dhe kërkesa për përjashtimin e saj nga ndalimi është bërë këtë herë për të shmangur penalitetet e mundshme.
Tarifat për kartonin jeshil janë vendosur që nga viti 2014, dhe kanë vlefshmëri minimale 2 javë, edhe sikur qytetari të dalë jashtë vendit qoftë edhe për një ditë.
Tarifa për të rezulton të jetë mbi ato të rajonit dhe kompanitë justifikohen me cmimin e lartë, për shkak se dalin me humbje.(TemA TV)


