Një gjykatës britanik tha se Policia do të dështonte në detyrën e saj publike nëse nuk do të hetonte siç duhet bandat kriminale ndërkombëtare përgjegjëse për drejtimin e fermave të kanabisit në Uells. Gjykatësi foli ndërsa dënoi një shqiptar të kapur duke punuar si i ashtuquajtur kopshtar në një “shtëpi bari”.
Gjykatësi Geraint Walters tha se detektivët të zbulojnë se kush ishte më i lartë në zinxhirin komandues dhe të shkonin pas tyre, por në përvojën e gjykatave dukej se Policia e konsideronte kapjen e një personi të rangut më të ulët si “rast i mbyllur”. Hetuesi tha në gjykatë se Policia kreu një kontroll brenda shtëpisë në Swansea më 2 shkurt të këtij viti, ku u arrestua i riu shqiptar, Selim Hoxha. Ai u arratis për pak kohë nga një dritare e shtëpisë, brenda së cilës Policia gjeti bimët e kanabisit, duke përfshirë edhe papafingo me më shumë se 200 fidanë.
Pesë dhoma të pajisura me drita dhe ventilatorë po përdoreshin për rritjen e bimëve dhe furnizimi me energji elektrike në pronë vidhej. Gjykata dëgjoi se vlera e mundshme me shumicë e të korrave ishte deri në 119,000 £. Hetuesi tha se pas një ekzaminimi të telefonit të 26-vjeçarit Hoxha, prokuroria konstatoi se ai kishte punuar efektivisht si “kopshtar” në fermën e kanabisit.
Në intervistën e tij të mëvonshme, i pandehuri tha se fillimisht ishte zhvendosur nga Shqipëria në Gjermani, por, në pamundësi për të gjetur punë në atë vend, shkoi në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni. Ai tha se kishte shkuar në Londër dhe më pas në Swansea, ku ra në kontakt me shqiptarë të tjerë, të cilët i ofruan punë në shtëpitë e kanabisit.
Hoxha i tha Policisë se kishte jetuar në banesën me bimë narkotike për tre muaj dhe se nuk kishte marrë ende asnjë pagesë, përveç ushqimit dhe fjetjes. Ai shtoi se po përpiqej të fitonte para për t’i dërguar përsëri në Shqipëri për të paguar një operacion në zemër për nënën e tij. Selim Hoxha është deklaruar më parë fajtor për prodhimin e kanabisit kur u paraqit në bankën e të akuzuarve për dënim.
Gjykatësi Geraint Walters hodhi poshtë versionin e Hoxhës, duke theksuar se i pandehuri ishte dërguar qartësisht në Britani nga një bandë kriminale për të punuar në një nga operacionet e tyre të rritjes së kanabisit. Gjykatësi e dënoi Hoxhën me nëntë muaj burg, duke paralajmëruar dëbimin e tij më pas


