Sekretariati i Etikës ka përjashtuar ditën e sotme për 10 ditë nga Kuvendi i Shqipërisë 7 deputetë të Partisë Demokratike.
Bëhet me dije nga burimet për media se deputetët janë Ervin Salianji, Lefter Gështnja, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.
Kujtojmë se deputetët janë përjashtuar pas seancës së fundit të Kuvendit për miratimin e buxhetit të vitit 2024.
Seanca zgjati vetëm 7 minuta dhe për shkak të protestës së opozitës, buxheti kaloi pa diskutime. Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën. Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.
Në kushtet kur Sali Berisha, Gazment Bardhi e Flamur Noka mungonin në seancë për shkak se janë përjashtuar më herët, protesta e opozitës u udhëhoq nga deputetët Ervin Salianji, Nallbati e Dogjani.


