Efektiv për terapinë e psikozës mund të rezultojë një prej komponentëve bazë të kanabisit, sipas një studimi shkencëtarësh tw “King’s College” në Universitetin e Londrës.
Studiuesit realizuan teste klinike me 88 persona që vuajnë nga sëmundja e psikozës (një tronditje mendore dhe simptoma ankthi, sjelljeje paranojake dhe halucinacione) dhe konstatuan se pacientët tek të cilët u dhanë doza Kanavidioli (ose CBD siç substanca quhet shkencërisht) shfaqën nivele më të ulëta të simptomave të psikozave. Për më shumë, pas përdorimit të CBD, mundësitë që pacientët të cilësohen nga psikiatrit e tyre në gjendje të përmirësuar u shtuan, ndërkohë që u regjistruan edhe shenja pozitive dhe të përmirësuara përsa i përket vetëdijes.
Gjëja që të bën përshtypje në studim është se kompontenti bazë psikostimulues i kanabisit (THC) mund të shkaktojë paranojë, ankth dhe simptoma psikotike, ndërsa komponenti i dytë bazë (CBD) ka tërësisht veçori të kundërta dhe do të mund të funksionojë si komponent terapik i shëndetit psikik.
Në rezultatet që publikoi revista “American Journal of Psychiatry”, studiuesit deklaruan: “Studimi tregoi se komponenti CBD mund të jetë rezultativ në terapinë e psikozës. Pacientët tek të cilët u përdor komponenti, paraqitën ulje të ndjeshme të simptomave të psikozës dhe psikiatrit e tyre i karakterizuan si thellësisht të përmirësuar. Megjithëse mekanizmat operative të CBD nuk janë zbuluar ende tërësisht, përsa i përket ndikimeve të tyre, por padyshim komponenti CBD vepron në një formë ndryshe, si mjet antipsikozë dhe mund të përbëjë një tip të ri terapie”.