Janë mbi 90 vjeç dhe kanë arritur që të mposhtin Covid-19. Është fjala për Kolë Lleshin 90 vjeç dhe bashkëshorten e tij 94-vjeçare, Mrika Lleshi. Ata janë nga Mirdita dhe shkuan deri në oksigjenim si pasojë e koronavirusit, por tani gëzojnë shëndet të plotë.
Pas një muaji luftë me Covid-19, Kola ishte në studion e emisionit “Shqipëria Live” për të rrëfyer se si ai dhe e shoqja arritën që ta mposhtnin virusin, edhe pse në moshë dhe me sëmundje bashkëshoqëruese.
Teksa ishte pritur që edhe Mrika të ishte në studio, Kola tha se “ajo është mirë, por nuk vinte dot pa një që ta shoqëronte”. “Nusen e mjekoj prej dy vitesh, se ka pas probleme me zemrën. E mbaj me dietë dhe është mirë”, tha 90-vjeçari.
I pyetur se si arriti që të fitonte betejën me Covid, Kola tha se e kishte marrë vendimin që do ta mposhte atë, se do të jetonte.
“Më erdhën djemtë nga Italia, nuset i kisha aty. Më erdhën dhe vajzat. U caktova detyrat. Më kanë shërbyer natë e ditë, por unë kam komanduar vetën kur isha e sëmurë. Rreth 18 ditë kam qëndruar në gjendje të rëndë dhe temperaturë shumë të lartë. Kam vazhduar ecjen. Edhe në shi dal e punoj, kam bagëti, kosis, bëj punët e fshatit”, tha 90-vjeçari.
Ai tha se vajza që ka aty pranë në fshat e ka ndihmuar shumë. “Kam patur një vajzë aty afër dhe dhëndri e la të më shërbente 60 ditë. Djalin që kisha në Itali e lashë roje që kur të merrte vajzën gjumi ta çonte”, tha i moshuari që ishte plot energji.
Ndërkohë Kola zbuloi edhe tre drejtimet kryesore për të mposhtur virusin e tmerrshëm.
“E para vendosmëria jote, e dyta të lidhesh me mjekun që punon me gjithë shpirt, duar art, punëtor dhe zemërbardhë. Dhe e treta, ushqimi. Unë kam mbajt dietë, nuk kam ndarë mjaltin, portokallin dhe limonin”, rrëfeu ai.
Ndërkohë tregoi edhe një moment kur plaka e tij ia ka bërë me hile dhe e ka bërë të çohet nga krevati këmba dorës.
“Plaka një natë ma bëri me hile. I mori gjumi fëmijët dhe mua mu tha goja, kisha shumë etje. I them o plakë më sjell një gotë ujë. Më tha nuk mundem. Më vinte keq të zgjoja fëmijët. U ula avash dhe shkova këmba dorës te frigoriferi. Aty mu kujtua se nuk duhej të pija ujë të ftohtë. E pastaj mora ujë çezme. Ma bëri me hile se e dija se mundej me u çu, se më ka shërbyer gjithmonë”, tregoi Kola.



