Pak javë më parë në burgun Sremska Mitrovica në Serbi ka humbur jetën i riu me origjinë nga Peja, Artan Zuberi. Xhaxhai i 28-vjeçarit i cili jetonte në Norvegji ka treguar për mediat momentin e arrestimit të nipit të tij si dhe dyshimet e tyre për vdekjen.
Nagip Zuberi ka treguar se nipi i tij është arrestuar nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi, pasi po kthehej në Norvegji aty ku jetonte me familjen e tij. Sipas tij arsyet e arrestimit të shqitptarit nga policia serbe ishin tatuazhet e tij nëpër trup me flamurin kombëtar dhe një foto me armë kallashnikov në makinën me të cilën po lëvizte.
“Arrestimi i Artanit ka ndodhur para një vit e dy muaj, përafërsisht. E familjarët e kanë marr vesh arrestimin e tij diku pas një jave. Pasi e kanë marr vesh që është arrestuar nga policia serbe dhe është në burg për shkak të automjetit, ku e kishte të fotografinë e një arme kallashnikov, familjarët menjëherë kanë shkuar dhe kanë angazhuar avokat nga Norvegjia. Edukatorja e tij sociale që është që nga fëmijëria, ka intervenuar përmes ambasadës për ta transferuar këndej. Prindërit kishin shkuar në Beograd, kur atij veç iu kish shqiptu dënimi si terrorist shqiptar, për tri vite”
Ai thotë se djali i vëllait të tij, Artani ka vdekur në këtë burg pas torturave që i janë bërë gjatë vuajtjes së dënimit të tij si dhe pas zjarrit që kishte përfshirë burgun më 21 nëntor 2022. Sipas tij burgu ku 28-vjeçari vuante dënimin është përfshirë nga flakët dhe për tetë orë dyert e katit ku ai qendronte kanë qenë të mbyllura. Kjo sipas tij është bërë që 28-vjeçari të humb jetën për shkak të asfiksisë nga tymi dhe zjarri.
“Më 21 nëntor paska ndodh djegia e burgut në pavijonin numër 2. Ne e kemi lajmëru rastin në Norvegji, pasi Artani është shtetas norvegjez, ka lindur atje. Artani ka pas tatuazh nëpër trup, kallash edhe në kerr po ashtu. Artani ka ardh nga Serbia për në Kosovë. Në kthim ai është kapur nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi. Artani ka ndërruar jetë më 21 nëntor. Ai e ka dashur vendin e vet. E ka vizatuar flamurin sipas dëshirës së vet. Si djemtë e rinj që bëjnë tatuazhe. Për mendimin tim ka pas maltretime të mëdha. E fundit ka qenë kur e kanë djeg burgun, e kanë mshel pavijonin numër dy për tetë orë. Aty ka pas dhe të burgosur të tjerë, jo vetëm Artani. Nëpër gazeta, serbët e jepnin lajmin se kinse katër gardianë janë lënduar, e për të vdekur nuk kanë raportuar që ka”.