Në mes të sezonit veror dhe në kulmin e ngarkesës së autostradës Tiranë Durrës me automjete, Autoritetit Rrugor Shqiptar ka hapur një tender emergjent për riparimin shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë – ura e Dajlanit, me fond limit 771 mijë euro.
“Ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm pasi është pjesë e korridorit ekzistues veri – jug dhe shërben për lidhjen e Portit të Durrësit me kryeqytetin Tiranë dhe më gjerë. Të gjitha mjetet e zonës së veriut që lëvizin drejt jugut dhe ato të Portit të Durrësit kalojnë në këtë segment rrugor”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Ky segment rrugor i ndërtuar në vitin 2001 me gjatësi 20 kilometra ka pësuar dëmtime të mëdha duke rrezikuar qarkullimin e automjeteve për shkak të gropave e dëmtimit të asfaltit.
Në mënyrë që të mos bllokohet as trafiku në kulmin e sezonit turistik, ARRSH thotë se do të ketë plan për devijimin e trafikuar në rrugët alternative,
“Planin i menaxhimit të trafikut do të jetë i ndryshueshëm sipas avancimit të punimeve që do të thotë që rrugët alternative për devijimin e trafikut do të ndryshojnë në vazhdimësi deri në përfundimin e punimeve. Ai do të përgatitet nga kontraktori në bashkëpunim me mbikëqyrësin dhe do të miratohet nga Autoriteti Kontraktor në Bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë”, thuhet në tender.
Ndërkohë vijojnë punimet në autostradën Tiranë-Durrës e cila po zgjerohet me nga dy korsi në secilën anë.
Në dokumentet e tenderit thuhet se ndërhyrja duhet të bëhet brenda 2 muajsh pas nënshkrimit të kontratës pasi ky segment është me rëndësi për lidhjen e vendit.



